Një projekt me qëllim për të vjedhur, e quan deputeti Agron Shehaj projektin për Portin e Durrësit.
Shehaj në Kuvend ka ngritur disa pyetje për kompaninë e huaj që ka fituar projektin dhe do të bëjë investimin në Durrës.
“Eagle Hillls është krijuar para një viti, si i ka bërë këto marrëveshje në këto pesë vitet e fundit? Kompania tjetër është NSHMI Development… zonja ministre, kush janë pronarët e kësaj kompanie? Nuk dimë se çfarë xhiroje vjetore kanë”, pyet Shehaj, ndërsa shton se “kur ministrat nuk kanë çfarë thonë, vetëm shajnë”.
Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj i quajti gënjeshtra dhe gjysmë gënjeshtra deklaratat e deputetit. Sipas saj, çdo gjë është transparente:
“Është për të ardhur keq që e mbushni publikun me gënjeshtra. Ju i bini të njëjtit fyell”.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tregon se si është bërë gara për portin e Durrësit.
“Durrësi dhe Shqipëria nuk do të ngelë pa port. Ne kemi bërë një studim për portin, sa kapacitete mund të përballojë dhe madje kemi bërë studim për pasojat negative në qytet”.
Ajo liston tre probleme të portit aktual, që thotë se sollën nevojën e ndërtimit të një porti të ri:
“E para ka qenë rritja e volumeve. E dyta ndotja e qytetit, sidomos nga mallrat si çimento, qymyri, gruri dhe e treta, ngarkesa që krijonte në qytet si dhe ndotja akustike.
Ka qenë viti i pandemisë në 2022, prandaj gara u hap në qershor 2021. Morën pjesë shumë kompani të huaja, 5 prej tyre kaluan fazën e parë. U zgjodh Porto Romano se është zonë industriale, e destinuar për t’u zhvilluar në industri. Pranoj çdo lloj kritike, por mos mohoni faktin se këtu po ndërtohet një port modern”.
Balluku u tha deputetëve të opozitës “mos iu referoni shifrave të Sali Berishës” dhe tregoi se sa do të kushtojë sipas saj Marina e portit të Durrësit.
“Sa kuotohet ndërtimi i portit të ri, që do të ndërtohet me kapacitetet e Autoritetit Portual të Durrësit, janë 390 milionë euro. Dhe do të bëhet se aty ku është nuk ka më kapacitete. Në portin e ri do të kalojë dhe hekurudha që do ta lidhë me Prishtinën dhe Maqedoninë e Veriut”.
Top Channel