Porti i Durrësit, BE heq 28 milion euro/ Kërkon shpjegime nga qeveria shqiptare për “Portin e Jahteve”

24/11/2022 15:02

Në një kohë kur qeveria po kalon sot në parlament me shpejtësi miratimin për projektin e transformimit të Portit të Durrësit, Bashkimi Europian ka tërhequr grantin e planifikuar për zhvillimin e projektit.

Bëhet fjalë për një grant prej 28 milionë euro të planifikuar për këtë projekt nga Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor, ku përmes tij planifikohej rikonstruksioni i kalatave 1 dhe 2 i terminalit Perëndimor të Portit të Durrësit.

Pikëpyetjet dhe kontestimet e mëdha lidhur me këtë projekt ku akuzat se fshihet një kompani offshore duket se kanë sjellë edhe në këtë vendim ekstrem të Bashkimit Europian që të tërhiqet nga mbështetja e tij për zbatimin e këtij projekti. Edhe në faqen zyrtare specifikohet statusi i anuluar lidhur me këtë grant.

Komisioni Europian edhe më herët ka shprehur rezerva lidhur me këtë marrëveshje dhe ka kërkuar nga qeveria shqiptare qartësi dhe sqarime mbi projektin dhe zbatuesin e tij.

Projekti ka përplasur ashpër mazhorancën dhe opozitën që akuzon se Porti po i jepet një kompanie offshore që nuk i njihen as pronarët. Kjo e fundit vetëm para pak ditësh e ankimoi  në Gjykatën Kushtetuese  marrëveshjen që shteti shqiptar  ka nënshkruar me Emiratet e Bashkuara Arabe për bashkëpunim ekonomik dhe paralajmëroi një padi te dyte qe godet drejt për drejt projektin për portin e ri te Durrësit.

Me miratimin e tij këtë të enjte në Parlament, i hapet rrugë projektit plot dritëhije të transformimit të Portit të Durrësit, një investim me vlerë 2 miliardë dollarë.

 

Top Channel