“Po fal për sadaka pasurinë e shqiptarëve”, Alibeaj: Pse nuk u bë garë për portin e Durrësit?

24/11/2022 13:39

Enkelejd Alibeaj, në debatin për projektin me vlerë 2.1 miliard euro të Portit të Durrësit, e cilëson abuziv mënyrën se si investimi iu dha kompanisë së Mohamed Alabbar pa garë.

Alibeaj akuzon kryeministrin Rama për përfitime personale nga ky projekt dhe se po fal në mënyrë të pashembullt pronën shtetërore.

“Pse nuk ka garë, ky Alabbari që mori gamilet nga Lindja e Mesme dhe erdhi në Shqipëri, pse nuk ka garë? A nuk duhet të kishte një garë për të parë mos ka të tjerë që e dashkan kaq shumë Shqipërinë? Është minimumi i arsyes njerëzore për të mbrojtur pronën e vet.

Porti i Durrësit është prona e të gjithë shqiptarëve, ky po e shet, po e fal. Është detyrim kushtetues, detyrim nga marrëveshja e stabilizim-asociimit, për të bërë gjënë më të thjeshtë: garën. Për të marrë paranë për të cilën aq shumë ky vend ka nevojë”.

‘Kush na qenka ky kaq i pasur që duhet t’ia falim taksat e shqiptarëve’, pyet Alibeaj në fjalën e tij në Kuvend.

“Pse nuk bën avokatin e shqiptarëve, por bën të atij biznesmenit. Si na vjen këtu dhe harxhon 80 milionë dhe ti i fal 730 milionë euro nga pasuria e shqiptarëve. E fal për sadaka. Kryeministri foli 54 minuta për 2.1 miliard euro që shkojnë në xhepat e tij”.

Deklaratat e Ramës që përdori citime nga shkrimtarë dhe poetë patriotikë shqiptarë, Alibeaj thotë se i bëri me qëllim “që të mos kuptojmë se çfarë po ndodh”.

“Sa ministra, deputetë janë tani në burg. Sa të tjerë do të bëhen mish për top. Sa të bjerë entuziazmi i patriotizmit të Ramës, të kuptojmë se çfarë po ndodh”.

Investimi prej 2 miliard euro për projektin e Durrës Yacht & Marina, është klasifikuar si investim strategjik duke përfituar pronën për të kryer investimin përmes një marrëveshjeje me qeverinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA