Lista Serbe e përshëndeti marrëveshjen e arritur në Bruksel, por si për t`i hedhur sërish benzinë zjarrit, këmbënguli të tregonte se targat KM mbeten në përdorim.
“Duam t’i informojmë qytetarët se të gjithë pronarët e automjeteve me targa KM (Mitrovicë e Kosovës) do të mund të funksionojnë normalisht, dhe kur të skadojë regjistrimi i tyre ekzistues do të mund ta zgjasin vlefshmërinë e regjistrimit si më parë”, thuhet në njoftimin e saj në Facebook.
Targa të reja, për momentin nuk do të lëshohen, por ato ekzistuese do të mbeten dhe me to do të vazhdohet të qarkullohet, insistoi forca kryesore politike e serbëve të Kosovës.
Ujdia e vulosur pas një maratone intensive e të lodhshme bisedimesh në Bruksel mes Kosovës e Serbisë – nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian – parashikon që Prishtina të heqë dorë nga gjobat ndërsa Beogradi të mos lëshojë më targa të reja për serbët në veri, të konsideruara të paligjshme nga pala kosovare.
Negociatat u zhvilluan në Bruksel mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkovic. Me tone triumfuese, ky i fundit e thumboi Kurtin duke thënë se kryeministri i Kosovës, “praktikisht pranoi gjithcka që kishte refuzuar në ditët e kaluara”. Edhe Petkovic i mëshoi idesë se me marrëveshjen e arritur mbeten në qarkullim targat KM.
Top Channel