Kosova dhe Serbia kanë arritur deri te dakordimi për targat pas diskutimi disa orësh në Bruksel të mërkurën mbrëma.

Palët u pajtuan se Serbia nuk do lëshojë më në përdorim targa me akronimet e qyteteve të Kosovës dhe kjo e fundit do të pezullojë gjobitjen.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se ky dakordim i hapë rrugë negociatave për normalizim të marrëdhënieve.

“Ne u morëm vesh që nuk do t’i bëjmë veprimet reciproke, pra nuk do të bëjmë gjobitje për targat KM dhe do t’i japim hapësirë negocimit evropian që më herët quhej plani franko-gjerman”, tha Kurti.

Teksa Kurti thotë që dakordimi i së mërkurës nxjerrë jashtë përdorimit targat ilegale KM, ishte kryenegociatori serb Petar Petkoviç dhe Lista Serbe që njoftuan se qytetarët që kanë në posedim këto targa, do të mund të vazhdojnë regjistrimin e tyre.

Dakordimi u mirëprit nga aktorët ndërkombëtarë përfshirë edhe Departamentin Amerikan të Shtetit që tha se është hap i madh përpara. Ambasadori i SHBA-së në Kosovë Jeffrey Hovenier tha kjo ulë tensionet, mirëpo, shefi i Qeverisë së Kosovës u kritikua nga opozita.

Qeveria e Kosovës ende nuk ka sqaruar nëse do të vazhdojë me vendimin për riregjistrimin e targave nga ato KM në të Republikës së Kosovës.

Top Channel