Studiuesit danezë gjetën tre anije të mbytura të ruajtura mirë në Detin Baltik dhe ekspertët nga Muzeu i Luftës Detare në Thyborøn vlerësuan se anijet janë më shumë se 300 vjet të vjetra.
Ekspertët e muzeut thanë se dy nga rrënojat janë pothuajse me siguri ish-anije mallrash holandeze, ndërsa e treta dhe më e madhja është ndoshta një anije skandinave.
Të tre anijet u gjetën në një thellësi prej rreth 150 metrash, konfirmoi muzeu.
Mbetjet qëndrojnë si anije fantazmë pothuajse të paprekura në errësirë totale në shtratin e detit dhe përtej mundësive të anijeve moderne të peshkimit.
“Ishte fantastike kur pamë rrënojat në ekran pasi dërguam robotin nënujor në shtratin e detit”, tha udhëheqësi i ekspeditës dhe drejtori i Muzeut të Luftës Detare Jutland, Gert Normann Andersen.
Ndryshe nga zona e Detit të Veriut, ku çdo mbytje do të shpërbëhej në kohë rekord, në Detin Baltik anijet shpesh ruhen shumë mirë, tha Andersen.
Ai shpjegoi se kjo ndodh sepse as krimbat dhe as kafshët e tjera që shkatërrojnë drurin nuk mund të jetojnë në një thellësi të tillë në Detin Baltik, ku vlera e pH e ujit të detit është shumë acid dhe ka shumë pak oksigjen.
“Kam zhytur gjithë jetën time dhe kam parë qindra rrënoja, por kurrë nuk kam parë diçka të tillë. Anijet ishin ulur në fund sikur të ishin braktisur dje,” tha Andersen.
Ekspedita, me gjithsej 27 pjesëmarrës, u nis me synimin për të eksploruar rrënojat e prishura dhe materialet nën ujë.
“Por askush nuk e priste që ne do të gjenim rrënoja që ishin aq mirë të ruajtura,” tha Andersen.
Një robot nënujor i pajisur me një kamerë të avancuar solli mijëra imazhe në sipërfaqe dhe riprodhoi me saktësi të madhe një imazh virtual të rrënojave siç duket realisht në shtratin e detit.
“Fotografitë janë aq të detajuara sa të ndjehesh sikur mund të ecësh rreth një anijeje që u mbyt qindra vjet më parë,” shtoi Andersen.
Top Channel