Droga në Fier/ Kryeplaku i fshatit: Pritësi i kokainës më parë ka qenë kryetar komune

24/11/2022 20:07

Kryeplaku i fshatit Të Frakullës së Madhe, Fiqiret Muçaj tha se ngarkesa e kokainës mes thasëve me pleh kimik mbërriti në banesën e Viktor Çervanakut, i cili më parë ka qenë edhe kryetar komune.

“Vetëm fishekë pashë unë, vetëm fishekë pashë, mund të ishin nja 200 thasë, mund të ishin 50 policë, nuk e di nga kishin ardhur thasët, ajo nuk është magazinë, e ka shtëpi, Viktor Çervanaku, i ati është thirrur. Unë nuk e njoh për të tillë se ka qenë kryetar komune”, tha kryeplaku i fshatit.

Një laborator kokaine u zbulua sot në Frakull të Fierit, pas hetimeve disa mujore në bashkëpunim me policinë malazeze dhe DEA-n.

Kokaina, e fshehur në thasë me pleh kimik, është zbuluar nga policët malazezë në korrik, me ndihmën e Drejtorisë së të Ardhurave dhe Doganave, pasi ngarkesa mbërriti në Portin e Tivarit.

Inspektorët e Sektorit Kundër Krimit në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë të Shtetit dhe policinë shqiptare mbajtën nën vëzhgim dërgesën derisa të shkonte në destinacionin final, Shqipërinë dhe të zhvillohej operacioni që u mbyll sot.

15 persona janë arrestuar deri tani, ndërsa dhjetëra forca policore ndodhen aktualisht në vendngjarje. Gjithashtu arrestime ka edhe në Mal të Zi, persona të përfshirë në trafikun e kokainës.

Top Channel