Armë poshtë kofanos së mjetit/ Arrestohen 4 persona në Tiranë, 3 prej tyre të dënuar më parë (Emrat)

24/11/2022 14:22

Katër persona të cilët lëviznin me armë zjarri në mjetin e tyre janë arrestuar nga policia në Tiranë.

Në hyrje të fshatit Tujan, në rrugën e Arbërit, policia ndaloi mjetin tip “Range Rover”  me të cilin ata qarkullonin dhe si rezultat i kontrollit të imtësishëm, u gjetën 2 armë zjarri pistoleta, me krehëra me municion luftarak, të fshehura poshtë kofanos së automjetit.

Të arrestuarit janë Bledar Matoshi, 33 vjeç, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje; Kid Koshena, 28 vjeç, i dënuar më parë për plagosje të rëndë; Klajdi Vrioni (Kodra), 32 vjeç, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe për plagosje të rëndë; dhe Redion Meshi, 22 vjeç, i cili drejtonte automjetin ku u gjetën armët.

Në vijim të operacionit “Katrori”, u ushtrua kontroll edhe në banesat e tyre dhe si rezultat, në banesën e Redion Meshit, policia gjeti edhe 2 armë zjarri kallashnikovë dhe një sasi municioni luftarak.

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 4 armë zjarri, një sasi e konsiderueshme municioni luftarak, 5 aparate celulare dhe automjeti me të cilin lëviznin 4 të arrestuarit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel