Shkodër, 1400 hektarë tokë nën ujë/ Familjet e përmbytura: E pësuam si në 2010, pa asnjë njoftim

22/11/2022 19:42

Situata në zonat e përmbytura të Shkodrës po përmirësohet ndjeshëm, pasi hidrocentralet po shkarkojnë më pak.

Nga 2600 ha tokë të përmbytura një ditë me parë, sot janë 1400.

Edhe në banesa, uji po tërhiqet, por tani problemi më i madh për banorët janë pasojat e përmbytjeve të pa paralajmëruara.

Teksa mban në dorë një foto që i kujton përmbytjet e vitit 2010, Zenepe Dervishi tregon se vërshimet e ujërave këto ditë ishin në të njëjtën formë: pa asnjë njoftim.

“Të na tregojnë të paktën, të përgatitemi dy orë para, sa për të mbledhur gjërat. Për çfarë është qeveria, për çfarë është shteti?”

Ndërsa familjes së Edmira Rranxit, uji i ka shkatërruar investimin e një jete në banesë, bujqësi dhe blegtori.

“Na ka bërë dëme shumë të mëdha. As një shishe ujë nuk na kanë sjellë. Na ka shkatërruar komplet prodhimin, Zoti na ndihmoftë”.

Në fshat, uji ka shkatërruar edhe të gjitha të mbjellat dhe rezervat ushqimore për bagëtitë.

Top Channel