Shërbimet e Sigurisë së Ukrainës bastisin një manastir në Kiev

22/11/2022 16:24

Shërbimi i sigurisë i Ukrainës njoftoi të martën se ka kryer një bastisje në një manastir ortodoks historik në Kiev, mes dyshimeve për aktivitete armiqësore të shërbimeve speciale ruse.

Në një deklaratë të shërbimit ukrainas të sigurisë thuhej se operacioni synonte parandalimin e përdorimit të manastirit për strehimin e grupeve të sabotazhit e zbulimit, shtetasve të huaj apo depozitim armësh.

Kisha ortodokse ruse dhe Kremlini e dënuan bastisjen.

Ndërkohë Ukraina vazhdon të përballet me probleme të mëdha të furnizimit të popullatës me energji eletrike pasojë e sulmeve ruse. Të hënën autoritetet u bënë thirrje banorëve në kryeqytet e në zona të tjera të vendit të kufizojnë përdorimin e energjisë ndërsa riparojnë dëmet në rrjetin elektrik. Nga ana tjetër Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se miliona vetë në Ukrainë përballen me një dimër “kërcënues për jetën”.

Ky dimër do të ketë të bëjë me mbijetesën”, tha Hans Kluge, drejtor rajonal i OBSH-së për Evropën.

Zoti Kluge u tha gazetarëve të hënën se sulmet ndaj infrastrukturës shëndetësore dhe energjetike nënkuptojnë se qindra spitale dhe objekte të kujdesit shëndetësor nuk janë më plotësisht funksionalë. Ata janë pa karburant, ujë dhe energji elektrike shtoi ai.

Edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u kërkoi banorëve në Kiev e në zona të tjera të goditura rëndë nga sulmet ruse sikurse Vinnytsia, Sumy dhe Odesa, të kursejnë energji.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA