12 universiteteve publike ende 6873 karrige u kanë mbetur bosh në auditor, për shkak të emigrimit numri i studentëve ka rënë duke mbyllur  dhjetëra degë e duke rrezikuar qindra të tjera.

Edhe pse për herë të parë, Ministria e Arsimit shtoi një raund të katërt regjistrimesh me qëllim për t’u ardhur në ndihmë të rinjve që nuk kishin fituar asnjë degë dhe universiteteve për të mbushur kuotat, sërish në këtë fazë të lirë pati vetëm 491 regjistrime.

 “Raundi i katërt ishte një varkë shpëtimi për të mos mbyllur degët, për të mos rrezikuar pedagogët, vendet e punës”, tha Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare.

Mirëpo hapja e dyerve të universiteteve pa garë për këdo që nuk ka fituar të drejtën e studimit në 3 raundet e para , sipas aktivistëve krijon pabarazi.

Nga ana tjetër, politika e Ministrisë së Arsimit për mbështetjen financiare të studentëve që zgjidhnin degët prioritare si degët në fushën e mësuesisë, bujqësisë, turizmit, duket se nuk ka zgjuar interesin e tyre.

Në universitetin e Tiranës, gjuhët e huaja janë degët më të rrezikuara si dhe shkencat natyrore kimi, fizikë, ndërsa në universitetin bujqësor në programet e studimit peshkim, agrobiologji dhe hortikulturë ku të regjistruar ishin 2 deri në 3 studentë, nuk ka filluar mësimin.

Teksa maturantët në rrethe Durrës, Elbasan, Shkodër, Vlorë nuk e shohin drejtësinë më si degën që të garanton vendin e punës, ku qindra kuota kanë mbetur të paplotësuara.

Ndërkohë në Korçë, të rinjtë po I largohen bujqësisë. Më pak interes ata kanë shfaqur në degën e inxhinierisë agronomike dhe teknikës së prodhimit të farave. Ndërsa në universitetin e Gjirokastrës kryesojnë programet e administrim biznesit dhe librarit me kuota  të paplotësuara.

Top Channel