I hoqën zemrën në spital në Zvicër/ Gjykata urdhëron prokurorinë e Tiranës që të vazhdojë hetimet

22/11/2022 15:17

Gjykata hodhi poshtë qëndrimin e prokurorisë së Tiranës për të mbyllur një dosje hetimore që bën fjalë për vdekjen në burgjet e Zvicrës të një të riu shqiptar.

Gjykata urdhëroi hetime të mëtejshme për vdekjen e Briken Hoxhës , dukë kërkuar përgjigje se cilat janë arsyet e vdekjes së tij dhe se përse të ndjerit i ishin hequr disa organe jetësore.

Gjykata i kërkon akuzës të veprojë me letërporosi  për vdekjen e Briken Hoxhës nga Berati i cili vdiq në rrethana të mistershme teksa po vuante dënimin në Zvicër.

Mes të tjerash Shqipërisë duhet t’i thuhet se në çfarë faze janë hetimet për këtë ngjarje dhe përse trupi i të riut ju dorëzua familjes në pikën kufitare të Qafë Morinës me mungesë dokumentacioni.

Nga të dhënat e deritanishme rezulton se arkëmorti ju dorëzua të afërmve vetëm me emrin e të riut dhe skedën e vdekjes që tregonte ditën kur ndërroi jetë. Teksa mungonte dokumenti përcjellës i aktit mjeko-ligjor që duhet të vërtetonte shkaqet e vdekjes.

Hetimet në Shqipëri nisën mbas kallëzimit të të atit që akuzon edhe autoritetet shqiptare për mos veprim dhe shpërdorim detyre.

Më herët prokuroria shqiptare ka nisur letërporosi edhe për vdekjen në Spanjë  të 33-vjeçarit Saimir Sula, të cilit i ishte hequr zemra.

Ndërsa rasti tjetër është ai i Refik Matës, një i burgosur që priste të mbyllte dënimin në burgun e Tarascon në Francë dhe që sipas të afërmve ai nuk u vetëvra. Edhe kjo ngjarje vijon ende pa përgjigje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA