“Italia dëshiron të jetë edhe një herë protagoniste e paqes, stabilitetit, rritjes dhe mirëqenies në Ballkan”.

Kështu deklaroi ministri i Jashtëm, Antonio Tajani gjatë vizitës së tij zyrtare në Serbi dhe Kosovë, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Guido Crosetto.

Të dy diplomatët e lartë italianë takuan kryeministri Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani me mesazhin e qartë se nuk duhet të ketë më luftë. Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto theksoi nevojën e dialogut në një kohë kur me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kurti shtyu për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për çështjen e targave.

Faza e dytë parasheh shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për qytetarët që qarkullojnë me automjete me targa të tilla.

 “Nëse objektivi i dy vendeve është që të bëhen pjesë anëtare të bashkësisë ndërkombëtare, në familje të gjithë duhet të dinë të bashkëjetojnë. Dhe nëse dy anëtarë të një familje të ardhshme ndoshta nuk pajtohen krejtësisht, është përgjegjësi e anëtarëve tjerë të familjes që t’i ulin bashkë në një tavolinë dhe të bisedojnë”, tha Crosseto.

Ndërsa  presidentja Osmani u tha diplomatëve italianë se institucionet e Kosovës janë në koordinim me aleatët dhe po bëjnë përpjekje intensive për të gjetur një zgjidhje të pranueshme.

Sipas presidentes, Serbia po përpiqet që nëpërmjet strukturave ilegale në veri të vendit ta destabilizojë Kosovën.

Top Channel