Të inagurosh projektet para afatit, kur në fakt veprat ende nuk janë përfunduar.
I tillë është edhe rasti i rrugës së Arbrit, një aks që pritet të shkurtojë ndjeshëm distancën mes Dibrës dhe Tiranës, punimet e së cilës vijojnë ende.
E parashikuar sipas kontratës koncesionare të lidhur me kompaninë Gjoka në 2018 që vepra të përfundonte plotësisht në prill të 2022, por problemet dhe kompleksiteti i tunelit të Murrizit kanë bërë që qeveria të shtyjë afatin edhe me 17 muaj të tjerë, duke e çuar përfundimin e saj në shtator të vitit të 2023.
Ky vendim shtyrje nuk u lajmërua në kohën kur u morr por disa muaj më vonë kur ministrja e infrastrukturës u thirr në Kuvend për të dhënë shpjegime.
Ëndrra e dibranëve ta përshkojnë këtë rrugë të përfunduar e pa asnjë pengesë duket edhe më e largët. Premtimet për ndërtimin e saj datojnë prej dekadash, ndërsa punimet për këtë aks kanë nisën që në kohën e qeverisë Berisha në vitin 2008.
Që prej asaj kohë, mungesa e fondeve dhe një konsensusi mes palëve e ka shndërruar këtë një vepër komplekse që nuk ndalon së marrë fonde nga buxheti.
Së fundmi, 20 milionë euro janë tenderuar për skarpatet në dy segmente të saj, Shkalla e Tujanit dhe Plani i Bardhë. Por, këto kosto nuk ngarkohen mbi koncesionarin që po ndërton rrugën, pasi Autoriteti Rrugor Shqiptar ka gjetur zgjidhjen duke hapur 4 tendera të tjerë të fituar nga kompani të tjera.
Më herët, qeveria akordoi edhe një tjetër fond prej 20 milionë euro shtesë për të mbuluar defektet dhe për të përmbyllur punimet në Tunelin e Murrizit.
Koncesionari dështoi në hapjen e tunelit dhe ka ndërtuar një rrugë alternative në një zonë shumë malore e cila gjatë dimrit bllokohet si nga rrëshqitjet e tokës nga shiu ashtu dhe nga dëbora dhe akulli në ditët me ngrica.
Rruga e Arbrit është kthyer në rrugën që nuk mbaron kurrë dhe që çdo vit gëlltit milionë euro nga paratë e shqiptarëve.
Top Channel