Një protestues 33-vjeçar është arrestuar nga policia pas protestës së djeshme në Divjakë kundër traut për parkun e zonës.
Policia thotë se ka arrestuar A. P., 33 vjeç, banues në Xeng dhe ka shpallur në kërkim 40-vjeçarin S. K., pasi kanë kryer veprime të dhunshme dhe si pasojë kanë thyer kabinën e vendosur në hyrje të parkut kombëtar të Divjakës.
Po ashtu, nisi hetimi në gjendje të lirë për protestuesit E. Sh., J. M., N. Gj., D. P. dhe L. Gj, njofton policia.
Protesta kundër traut në parkun kombëtar të Divjakës është tensionuar ditën e djeshme, ku banorët u përplasën edhe me policinë.
Ata thyen xhamat e kabinës, në të cilën ishte planifikuar që të mblidhej pagesa që do të kryenin qytetarët për të hyrë në parkun kombëtar të Divjakë-Karavastasë.
Ky vendim i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit nuk kundërshtohet vetëm nga banorët e zonës, por edhe nga vetë bashkia. Për të shkuar në plazhin e Divjakës, rruga që duhet të përshkruash është një e vetme, për të cilën Ministria e Turizmit do t’i detyrojë vendasit të paguajnë para për të hyrë në plazhin publik.
Protestuesit fillimisht u mblodhën në mëngjes para bashkisë së Divjakës, ku më pas marshuan në këmbë drejt parkut kombëtar, protestë e cila zgjati për tre orë. Kjo ishte dita e pestë që qytetarët protestuan kundër vendimit, ndërsa edhe dy ditë më parë pati përplasje mes banorëve dhe policisë.
Ky vendim për bizneset e zonës është një rëndesë më e madhe pasi vizitorët që vijnë në park janë më shumë ditorë dhe Divjaka nuk bën pjesë në turizmin elitar.
Sipas tyre çdo lloj tarife do rëndojë vizitorin pasi në Divjakë do paguash për të hipur te kulla, për të shëtitur me varka, për të bërë guida me biçikletë, etj.
Deputeti i PS, Erion Braçe kundërshtoi këtë vendim të ministres Kumbaro për të vendosur këtë kabinë që do të vjelë paratë e qytetarëve të zonës për të hyrë në këtë zonë të mbrojtur.
Top Channel