Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino akuzoi të shtunën për hipokrizi kritikët e trajtimit të punëtorëve migrantë nga Katari, vendi organizator i Kampionatit Botëror të Futbollit.
Ai tha se angazhimi është mënyra e vetme për të përmirësuar të drejtat e njeriut.
Në një konferencë të tensionuar për shtyp në prag të fillimit të Kampionatit, zoti Infantino iu drejtua kritikëve evropianë të Katarit mbi çështjet e punëtorëve migrantë dhe të drejtave për komunitetin LGBT.
“Unë jam evropian. Ne duhet të kërkojmë falje për 3,000 vitet e ardhshme, për atë që kemi bërë për 3,000 vjet në mbarë botën, përpara se të japim leksione morali,” tha ai.
“E kam të vështirë t’i kuptoj kritikat. Ne duhet të investojmë për t’i ndihmuar këta njerëz, në drejtim të arsimit dhe për t’u dhënë atyre një të ardhme më të mirë dhe më shumë shpresë. Të gjithë duhet të edukojmë veten, shumë gjëra nuk janë të përkryera, por reforma dhe ndryshimi kërkon kohë .
“Ky leksion i njëanshëm moral është thjesht hipokrizi,” tha ai.
“Doha është gati, Katari është gati dhe pa dyshim do të jetë Kampionati i Futbollit më i mirë ndonjëherë.”
Kreu i FIFA-s përmendi si shembull përvojën e tij si fëmijë emigrantësh i rritur në Zvicër, duke thënë se ai ishte ngacmuar për faktin se ishte italian dhe kishte flokë të kuq.
“Unë e di se çfarë ndjesie është të jesh i diskriminuar,” tha ai.
“Unë besoj se ndryshimet që kanë ndodhur në Katar ndoshta nuk do të kishin ndodhur, ose jo të paktën aq shpejt (pa Kupën e Botës). Natyrisht, ne duhet të vazhdojmë trysninë, natyrisht që duhet të përpiqemi dhe t’i bëjmë gjërat më mirë.”
Vërejtjet e zotit Infantino u pritën me një reagim të ashpër nga mbrojtësit e të drejtave të njeriut.
“Gianni Infantino po shpërfill koston e lartë të paguar nga punëtorët migrantë për të bërë të mundur kampionatin më të madh – si dhe përgjegjësinë e FIFA-s në këtë drejtim,” tha Steve Cockburn, nga Amnesty International.
Zoti Cockburn tha se kërkesat për kompensim të drejtë nuk duhet “të trajtohen si një lloj lufte kulturore”.
Nick McGeehan i grupit të mbrojtjes së punëtorëve migrantë “Fair Square” i përshkroi komentet e Infantinos si “të pahijshme”.
Katari ka thënë se është një vend mikpritës që nuk diskriminon njerëzit dhe ka mohuar akuzat për abuzim të punëtorëve.
Infantino mbrojti gjithashtu praninë e Iranit në turne, pavarësisht valës aktuale të protestave vdekjeprurëse atje, të shkaktuara nga vdekja e një gruaje në paraburgim policor në shtator.
“Nuk janë dy regjime që luajnë kundër njëri-tjetrit, nuk janë dy ideologji që luajnë kundër njëra-tjetrës, janë dy ekipe futbolli,” tha ai.
“Nëse nuk kemi të paktën futbollin që të na bashkojë, në cilën botë do të jetojmë? Në Iran ka 80 milionë njerëz, a janë të gjithë të këqij? A janë të gjithë përbindësh?”/ Zëri i Amerikës
Top Channel