Goli i parë me Shqipërinë, Kristjan Asllani shënon me penallti mjeshtërore

19/11/2022 19:03

Trajneri Edi Reja ndan mendjen për formacionin me të cilin do të përballet në miqësoren ndaj Armenisë, sfidë që do të jetë e fundit për kuqezinjtë në këtë vit kalendarik.

Pas një viti të komplikuar, ku nuk kanë marrë ende asnjë fitore, të besuarit e Edi Rejës do të provojnë të gjejnë suksesin e parë, teksa trajneri u ka besuar nga minuta e parë emrave si Hadroj, Adrian Bajrami, Asllani, Çokaj Muçi e Skuka.

SHQIPËRI-ARMENI 2-0 (Skuka 28′, Asllani (pen) 63′)

Kronika e ndeshjes:

63′ Kristjan Asllani merr përsipër ekzekutimin e penalltisë. Topi në njërën anë, portieri në krahun tjetër. Festë e tifozëve dhe mesfushorit 20-vjeçar, i cili gjen golin e parë me ekipin kombëtar.

61′ Tedi Cara ndalet në mënyrë të parregullt, arbitri akordon penallti për kombëtaren shqiptare.

55′ Armenia pranë barazimit, por goditja me kokë e Vahan Bichakhchyan përfundon mbi traun e portës së Etrit Berishës.

53′ Presingu i Xhuliano Skukës jep efekt, Sergey Mkrtchyan gabon dhe sulmuesi i Partizanit del i vetëm përballë portierit kundërshtar, por gjuajtja potente shkon jashtë kuadratit.

28’ – Gooooool. Xhuliano Skuka dërgon topin në rrjetë dhe shënon golin e parë me fanellën kuqezi. Një Asllani në versionin Pirlo, shërben një pasim perfekt për Çokajn, i cili ul mirë për Skukën dhe sulmuesi i Partizanit e dërgon në rrjetë.

4’ – Asllani jep një pasim fantastik për Skukën pas shpinës së mbrojtjes dhe sulmuesi i Partizanit hyn në zonë, aty ku pengohet nga kapiteni armen, por nuk ka penallti. Arbitri maqedonas thirret në VAR, por as rishikimi i pamjeve nuk e bind, ndaj urdhëron vazhdimin e lojës.

Top Channel