Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, njoftoi se ka zhvilluar një bisedë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, të cilit i ka kërkuar  shmangien e përshkallëzimit të situatës në veriun e Kosovës.

Situata është tensionuar atje pasi serbët braktisën institucionet në shenjë proteste ndaj zbatimit edhe pse me faza të  vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia. faza e parë ishte ajo e qortimit, dhe në 21 nëntor nis e dyta, gjobitja.

Përfaqesuesit serbë në veri kanë paralajmëruar rezistencë në rast se nis vendosja e gjobave. Nga sa  sqaroi Chollet në Tëitter, kjo temë ishte prekur gjatë bisedës.

“Biseduam me kryeministrin Kurti për shmangien e përshkallëzimit të mëtejmë, shtyrja e dënimeve për targat, mbajtjen e derës së hapur për kthimin e serbëve të Kosovës në institucione dhe përqendrimin në bisedimet për normalizimin me Serbinë, si rruga më e mirë për çuarjen përpara të integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës.”

Bashkimi Europian i ftoi më herët Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për një takim në Bruksel në një përpjekje për të gjetur një zgjidhje për situatën në veri, të cilën zyrtarët europianë kanë cilësuar më të rrezikshmen që nga viti 2013.

Zëdhënësi i Bashkimit Europian Peter Stano nuk tha se kur mund të ndodhë takimi, por edhe pse shpreson që ai do të ndodhë sa më shpejt. Stano tha se synimi i kësaj nisme të Brukselit është gjetja e asaj që ai e quajti një zgjidhje europiane të ngërcit.

Top Channel