Nathan Ake po shijon momentin më të bukur të karrierës. Louis Van Gaal i dhuroi një biletë në Botërorin e Katarit me Holandën, fanellën e të cilëve e ka veshur 29 herë prej vitit 2017, por ky do të jetë kompeticioni i parë i rëndësishëm ku do të marrë pjesë përveç Nations League.
Qendërmbrojtësi i Manchester City, është bërë baba për herë të parë para pak ditësh. Në jetë erdhi vajza e tij, me të cilën qëndroi vetëm një ditë përpara se të niste grumbullimin me kombëtaren tulipane, por pas Kupës së Botës do të ketë gjithë kohën e nevojshme për të qenë pranë saj.
27-vjeçari ka zbuluar një prapaskenë interesante në lidhje me gruan e tij dhe lindjen e vajzës së dashur.
“Gruaja ime u kërkoi mjekëve që të nxisnin lindjen e vajzës në mënyrë që ta shihja dhe ta njihja para fillimit të Kupës së Botës. Jam shumë i lumtur që arrita të jem dëshmitar i lindjes së saj. Në fund kaluam vetëm një ditë së bashku, sepse më pas më është dashur t’i përgjigjem thirrjes nga Kombëtarja, por fatmirësisht ekziston FaceTime, kështu që shihemi të paktën një herë në ditë me njëri-tjetrin”, deklaroi Ake, i cili bashkë me shokët e tij shpresojnë të dërgojnë Kupën e Botës për herë të parë në Amsterdam.
Top Channel