Një video nga vija e frontit në Ukrainën lindore që tregon dorëzimin e një grupi ushtarësh rusë në një incident që duket se përfundon me vdekjen e tyre, ka ngjallur reagimin e Moskës e cila nxitoi të akuzonte Ukrainën për ekzekutimin e të burgosurve rusë të luftës.
Nëse akuza të tilla do të vërtetoheshin, atëherë ngjarja do të përbënte krim lufte. Kievi nuk ka bërë ende asnjë koment. BBC, që përcjell lajmin, thotë se nuk ka qenë në gjendje të vërtetojë pohimet e Rusisë nisur vetëm nga videoja në fjalë, por është duke i studiuar pamjet e shfaqura aty.
Incidenti thuhet të ketë ndodhur në 12 nëntor ose pak përpara në Makiyivka, një fshat në vijën e frontit në rajonin e Luhanskut. Pamjet me dron u shfaqën më vonë atë ditë dhe të dielën, disa faqe pro-ukrainase nisën të tregonin trupat e një numri ushtarësh me uniformë të shtrirë në tokë në oborrin e një ferme.
Një pjesë e pamjeve nga kjo skenë shfaqen edhe në një video të postuar në internet nga Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës në lidhje me operacionet ushtarake në zonën e Makiyivka.
Disa postime në mediat sociale sugjerojnë se një sulm me mortaja ishte përgjegjës. Por ky version i ngjarjeve është sfiduar nga mediat pro-ruse, të cilat pretendojnë se ushtarët u qëlluan nga personeli i brigadës së 80-të të sulmeve ajrore të Ukrainës. Në 17 nëntor u shfaqën video të tjera, këtë herë të filmuara nga toka, në të cilat dëgjohen thirrje ne gjuhën ukrainase. Ushtarët në kasolle dalin jashtë dhe shtrihen në tokë.
Uniformat e robërve duken ruse, cka u konfirmua më pas nga ministria e mbrojtjes në Moskë. Më video shfaqet në një moment një burrë me rroba të errëra që është i armatosur dhe hap zjarr. Zyrtarët rusë të mbrojtjes e denoncuan episodin si “vrasje të qëllimshme dhe metodike” , e pretendojnë se mbi 10 ushtarë ushtarët u qëlluan në stil ekzekutimi teksa ishin të shtrirë në tokë.
Rusia është akuzuar dhe vetë për krime të shumta lufte, duke përfshirë këtu vrasjen e civilëve në Bucha. Në një raport të lëshuar këtë javë, një mision i OKB-së në Ukrainë raportoi abuzime të të burgosurve nga të dyja palët.
Top Channel