Nga fshati Gërnec i bashkisë Selenicë e lehtë është ikja, por kthimi i vështirë.
Banorët që kanë mbetur në fshat ndihen të izoluar. Askush nuk u vjen për vizitë dhe për të shkuar në spital kur kanë urgjenca shëndetësore është mision i pamundur. qendra shëndetësore e fshatit nuk ka dyer e dritare dhe as mjek apo infermierë.
Shkolla është mbyllur prej vitesh. rrugët janë bosh dhe kalon gati një orë derisa shfaqet banori i parë në horizont.
“Në këtë fshat kanë ngelur shumë pak fëmijë dhe rruga është e amortizuar, po ashtu mungesa qendrës shëndetësore bën që njëherë në kaq kohë të vij një infermier nga Vlora për t’ju bërë gjilpërë.”- tha Remzi Bejaj, banor i Gërnecit.
“Rruga si mos më keq, shkolla pa fëmijë dhe e mbyllur edhe pse shkollë më e mirë se në qytet tregon, një qendër shëndetësore e mbushur më bar për bagëtinë, rruga e cila të sëmur më shumë, jeta në këtë fshat është me bagëti dhe bujqësi se çdo gjë tjetër mungon”- tha Vojsava Bejaj, banore e Gërnecit.
“Rruga e shkatërruar, ambulancë nuk ka dhe është mbushur me barë, pa fëmijë dhe shkolla që u bë e re, në ditën në vijim do të jetë dhe ajo një magazinë bari si qendra shëndetësore”-Agim Hoxhaj, banor i Gërnecit.
Nga 150 banesa dikur, sot vetëm 13 shtëpi janë të banueshme. 10 fëmijët e mbetur shkojnë në fshat tjetër për tu arsimuar.
“Jetesa është shumë e vështirë, rruga është katastrofë nuk vijnë dot fëmijët”- tha Gjolek Totaj, kryetar i fshatit Gërnec.
Në kushtet që janë katandisur këto zona nuk është e largët dita kur në fshat nuk do mbetet më askush
Top Channel