Një ditë pasi siguruan shumicën e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan, republikanët nisën hakmarrjen, duke deklaruar se prioriteti i tyre kryesor tani do të jetë hetimi i familjes Biden.

Verifikimet do të fokusohen tek marrëveshjet e biznesit që ka lidhur përtej kufijve Hunter Biden, djali i presidentit të SHBA-së. 52 vjeçari është aktualisht subjekt i një hetimi federal, por deri tani asnjë akuzë nuk është ngritur ndaj tij.

Edhe pse Hunter nuk është pjesë e administratës, republikanët do të kërkojnë të shohin nëse ka përfshirje të kreut të shtetit në marrëveshjet e dyshimta të të birit, përfshirë këtu dhe kohën kur Joe Biden ishte zv/president.

 “Pjesëmarrja e presidentit në pasurimin e familjes së tij është abuzim i rendit më të lartë. Dua të jem i qartë: ky është një hetim për Joe Bidenin dhe këtu do të jetë fokusi ynë në Kongresin e ardhshëm”, tha James Comer, kryetar i ardhshëm i Dhomës së Përfaqësuesve .

Nancy Pelosi sakaq vendosi të tërhiqet dhe të mbyllë karrierën e saj drejtuese në Kongres, gjatë të cilës u bë gruaja e vetme që shërbeu në postin e fuqishëm të kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara.

Liberalja 82-vjeçare nga Kalifornia, njoftoi se do të hiqte dorë nga roli i saj drejtues në Dhomën e Përfaqësuesve, por do të qëndronte si anëtare e saj për të përfaqësuar San Franciskon, siç ka bërë që nga viti 1987.

Lëvizja e Pelosi pasoi humbjen e kontrollit të Dhomës së Përfaqësuesve nga partia e saj ndaj republikanëve në zgjedhjet e mesit të mandatit të javës së kaluar. Aleatët e saj demokratë por përgatiten t’ia kalojnë stafetën ligjvënësit Hakeem Jeffries nga Nju Jorku, i cili nëse miratohet do të jetë ligjvënësi i parë afrikano amerikan që do të drejtonte një nga grupet e partive kryesore në Kongres.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA