Ngacmoi seksualisht 14-vjeçaren, shoqërohet në polici mësuesi pas transmetimit të rastit në “Fiks Fare”

18/11/2022 21:46

“Fiks Fare” transmetoi mbrëmjen e djeshme rastin e 14-vjeçares që është ngacmuar seksualisht nga mësuesi i saj, i cili u shoqërua në komisariat.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat njoftoi se Servet Bejo, mësues në shkollën e fshatit Barç të Skraparit, u shoqërua në komisariat dhe po vijon hetimi për të.

Mbi 62-vjeçarin rëndon akuza e “Ngacmimit seksual”, ndërsa të miturës i është marrë deklarata në prani të prindërve dhe psikologes.

E mitura tregoi për emisionin investigativ se mësuesi e kishte ngacmuar dhe një vit më parë me fjalë, por këtë herë sipas saj mësuesi e puthi me zor.

“Atë orë kishim fiskulturë, por unë hyra në klasë dhe po mësoja fizikën, mësuesi më tha qenke bërë shumë e bukur, m’u afrua, më kapi flokët dhe më puthi në buzë”, tregoi e mitura.

14-vjeçarja ka deklaruar se mësuesi e ka kërcënuar që të mos tregojë për episodin, por në fakt vajza ka bërtitur dhe në ato momente ka shkuar motra e saj, po nxënëse e asaj shkolle një vit më e vogël.

Bashkëpunëtorët e Fiksit biseduan me hallën e të miturës dhe gjyshen e saj të cilat ishin prezente gjatë deklaratës së vajzës, po ashtu halla ka qenë personi i parë që ka shkuar në shkollë pas të bërtiturave të mbesës.

Gjyshja tregoi se kishin frikë të bënin denoncim, sepse djali i saj është i vetëm, ndërsa fisi i mësuesit janë me shumë  meshkujt të rinj.

Ndërkohë halla tregoi se dëgjoi zërin e mbesës që bërtiste në shkollë ndaj shkojë më vrap te ajo.

“E dëgjova që bërtiste, e dëgjoi gjithë fshati ndaj shkova me vrap, mësuesit i thashë si nuk të vjen turp”, u shpreh halla.

Nga ana tjetër mësuesi  Servet Bejo mohon ta ketë bërë këtë gjë, sipas tij duke qenë se ka probleme hasmërie ata po hakmarren, dhe se halla e vajzës ka shkuar atë ditë në shkollë me thikë. Kështu ai pretendon se ka lajmëruar edhe specialistin e Policisë së Zonës , Zenel Koçin, por ai i ka sugjeruar t’i sheshojnë vetë gjërat.

Madje mësuesi pretendon se duke dhënë dorëheqjen dhe duke tërhequr denoncimin këtë gjë e ka mbyllur. Por të kundërtën thotë Koçi për gazetarët, ai mohon kategorikisht të ketë dijeni për këtë situatë dhe të jetë telefonuar nga mësuesi.

Njoftimi policisë:

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Berat

Mbi rastin e transmetuar në emisionin investigativ ”Fiks Fare”, për një nxënëse 14 vjeçe që ka pohuar se është ngacmuar seksualisht nga mësuesi i saj, në shkollën e fshatit Barç, Skrapar, sqarojmë opinionin publik se:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar e kanë shoqëruar menjëherë shtetasin S. B.(mësues), në ambientet e Komisariatit.

Gjithashtu, në ambientet e DVP Berat, i është marrë deklarata nxënëses 14 vjeçe, në prani të prindit të saj, psikologut dhe avokates.

Në përfundim të veprimeve, shërbimet e Policisë kanë referuar materialet në prokurori dhe ka nisur procedimi penal për shtetasin S. B., 62 vjeç, banues në fshatin Barç, Skrapar, për veprën penale “Ngacmimi seksual”.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat është e angazhuar maksimalisht për të parandaluar, evidentuar dhe goditur paligjshmëritë, në çdo fushë, dhe në këtë kuadër inkurajon qytetarët që për çdo rast paligjshmërie, të denoncojnë në numrin 112 ose në Komisariatin Dixhital, duke iu garantuar reagim të shpejtë dhe ligjor.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA