Koreja Veriore ka lëshuar një raketë balistike interkontinentale me kapacitet për të goditur tokën amerikane, ka thënë ministri i Mbrojtjes në Japoni, Yasukazu Hamada.
Raketa ka rënë në ujë, rreth 210 kilometra në perëndim të Hokaidos.
“Bazuar në kalkulimet e bëra rreth trajektores që ka përshkuar raketa balistike këtë herë, ajo do të mund të kishte kapacitet të udhëtimit prej 15.000 kilometrash, varësisht prej peshës së kokës bërthamore, dhe në atë rast nënkuptohet se do të mund të arrinte në SHBA”, ka thënë Hamada.
Ai ka thënë se Phenianit i është bërë e ditur se nuk mund të tolerohen veprime të tilla.
Shtetet e Bashkuara e kanë dënuar këtë testim, derisa Koreja Jugore ka dhënë urdhër për masa më të fuqishme të mbrojtjes kundër verikoreanëve.
Të enjten, ministrja e Jashtme verikoreane, Choe Son Hui, ka bërë thirrje për përgjigje “të ashpër” ndaj çfarëdo rritjeje të prezencës amerikane në Gadishullin Korean.
Po atë ditë, verikoreanët kanë testuar një raketë balistike me rreze të ulët.
Këto zhvillime pasojnë takimin e zhvilluar ditë më parë mes presidentit amerikan, Joe Biden dhe kryeministrit japonez, Fumio Kishida në Kamboxhia.
Zëdhënësja e Këshillit për Siguri Kombëtare në Shtetet e Bashkuara, Adrienne Watson, ka thënë se Biden është informuar për zhvillimet e fundit dhe se SHBA-ja do të konsultohet me partnerët.
Koreja Veriore ka lëshuar më shumë se 50 raketa në dy muajt e fundit, shumica e tyre me rreze të shkurtër.
Raketat me rreze të gjatë janë testuar më rrallë, dhe ato përbëjnë kërcënim direkt për SHBA-në, meqë janë të dizajnuara për të bartur koka bërthamore, kudo në tokën amerikane.
Javët e fundit Koreja Veriore ka dhënë shenja se do të mund të testojë raketa të tilla, si përgjigje ndaj aktiviteteve ushtarake të SHBA-së rreth Gadishullit Korean.
Verikoreanët është thënë se janë duke zhvilluar një tjetër lloj rakete me rreze të gjatë, Hwasong-17, e cila është më e madhe se raketa balistike interkontinentale.
Por, ekspertët besojnë se verikoreanët kanë dështuar disa herë në testim të Hwasong-17.
Këtë vit, Koreja Veriore ka miratuar ligjin për shpallje të vetes si shtet me armë bërthamore.
Lideri i shtetit, Kim Jong-un, ka hedhur poshtë mundësinë e bisedimeve për çarmatosje.
Pheniani ka kryer gjashtë testime bërthamore në periudhën 2006-2017, pavarësisht sanksioneve.
Ky shtet në lindje të Azisë dënon vazhdimisht sanksionet dhe deklaron se sistemi bërthamor i duhet për qëllime të mbrojtjes.
Top Channel