Prej 9 shtatorit sistemet e policisë shqiptare ranë pre e sulmeve kibernetike të cilat pezulluan punën e sistemeve, por policia vijoi punën duke vendosur gjatë këtij muaji rreth 25 mijë gjoba.
Me rivendosjen në punë të sistemeve qytetarët nuk do të paguajnë vetëm gjobat por edhe kamatën që nuk është për faj të tyre.
Nëse sulmet kibernetike nuk mundën dot të parandalohen autoritetet shqiptare nuk u kujdesën për të zbutur pasojat e lëna pas. Ndër efektet më të drejtpërdrejta ishte pagesa e gjobave të vëna për shkelje të qarkullimit rrugor. Qytetarët e gjobitur gjatë shtatorit jo vetëm nuk përfituan 20 për qind ulje pasi nuk mundën ta paguajnë gjobën Brenda 5 ditësh por u duhet të paguajnë një kamatëvonese për shkak të mosfunksionimit të sistemit.
“Mora gjobë dhe e kontrollova disa herë në sistem nuk dilte. Nuk kisha si ta paguaja”, tha qytetari.
Top Channel kontaktoi me drejtorinë e policisë rrugore në policinë e shtetit të cilët pranuan këtë problem por sipas tyre jo të gjithë të gjobiturit në kohën kur nuk kishte sistem vuajnë pasojën e kamatëvonesës.
Pas një marrëveshje me institucionet financiare gjobat u paguan edhe pse nuk dilnin në sistem vetëm nëse I gjobituri ka pasur fletën e gjobës fizikisht.
Top Channel