Zjarrfikësi gjerman arrestohet për zjarrvënien ndaj qendrës së refugjatëve, të cilin erdhi më pas ‘të shuante’ (fotot)

17/11/2022 18:00

Autoritetet besojnë se ngjarja ishte një nga një seri prej 19 tentativave të ngjashme të të dyshuarit, por ato “nuk ishin të motivuara politikisht”.

Një zjarr që shkatërroi një qendër refugjatësh nga Ukraina, muajin që shkoi në verilindje të Gjermanisë, ishte nisur në fakt nga një prej zjarrfikësve që më vonë ndihmuan në shuarjen e tij.

Prokurorët e shtetit gjerman të Mecklenburg-Vorpommern, kanë arrestuar një 32-vjeçar për ngjarjen, por thonë se burri nuk kishte motive politike.

Zjarri shkaktoi miliona euro dëme por asnjë nga 17 refugjatët që banonin aty nuk është lënduar.

“Si rezultat i hetimeve, ne besojmë se akti kriminal në Groß Strömkendorf ishte pjesë e një serie sulmesh të ngjashme, pa një qëllim të përcaktuar politik”, tha prokurorja Claudia Lange.

32-vjeçari raportohej se ishte vullnetar me forcën lokale zjarrfikëse që kur ishte i ri. Ai i mohon akuzat dhe mbetet në paraburgim.

Ashtu si të gjithë ata të përfshirë në shuarjen e zjarrit në hotelin e refugjatëve, edhe i dyshuari u mor në pyetje nga policia pas disa ditësh.

Por mungesa e përputhjeve në përgjigjet e tij alarmoi hetuesit, të cilët më pas gjetën një dëshmitar që kishte parë atë të vizitonte disa herë vendndodhjet e disa prej zjarreve që besohet se ka shkaktuar.

E përditshmja vendase Der Spiegel shkruante se në një prej rasteve, dëshmitari kishte parë një burrë që ndalonte me makinë pak para nisjes dhe më pas largohej.

Në zjarrin e qendrës Groß Strömkendorf më 19 tetor, çështja u bë serioze dhe mori vëmendje të mediave gjermane, teksa politikanët akuzonin njëri-tjetrin se kishin nxitur urrejtje me retorikat e tyre.

Në një intervistë lideri konservator Friedrich Merz ankohej se po shtohej problemi i ukrainasve që kryenin “turizëm shoqëror” duke jetuar me asistencë në Gjermani, para se shumica e tyre të ktheheshin përsëri në vendin e tyre.

FOTO GALERI
1/5
Një zjarr që shkatërroi një qendër refugjatësh nga Ukraina, muajin që shkoi në verilindje të Gjermanisë, ishte nisur në fakt nga një prej zjarrfikësve

Top Channel