Republikanët siguruan të mërkurën numrin e mjaftueshëm të vendeve për të fituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, duke përgatitur terrenin për dy vjet qeverisjeje të ndarë në kushtet kur Partia Demokrate e Presidentit Joe Biden ruajti kontrollin e Senatit.
Fitorja u jep republikanëve mundësinë që të frenojnë programin e zotit Biden, si dhe të hapin hetime që mund të jenë të dëmshme politikisht për administratën dhe familjen e zotit Biden, megjithëse kjo fitore është shumë larg nga “vala e kuqe” që partia kishte shpresuar.
Parashikimi përfundimtar për fitoren e republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve erdhi pas më shumë se një jave numërimi votash, kur organizata Edison Research arriti në përfundimin se republikanët kanë fituar 218 vendet që u duheshin për të kontrolluar Dhomën.
Fitorja e republikanëve në distriktin e 27-të të Kongresit në Kaliforni i dha epërsinë partisë.
Udhëheqësi aktual i republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, mund të ketë përballet me një rrugë të vështirë, pasi do t’i duhet ta mbajë grupin e tij të bashkuar për votime kritike përfshirë buxhetin e qeverisë dhe ushtrisë në një kohë kur ish-presidenti Donald Trump ka shpallur kandidaturën për të marrë edhe një herë Shtëpinë e Bardhë.
Megjithëse humbja e demokratëve paraqet vështirësi për presidentin Biden, ai shtriu dorën e bashkëpunimit, duke përgëzuar republikanët dhe duke thënë se do të punonte me ta për të dhënë rezultate për amerikanët.
“Populli amerikan do që ne të punojmë për ta,” tha ai në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.
“Unë do të punoj me të gjithë qofshin republikanë apo demokratë, që janë të gatshëm të punojnë me mua për të dhënë rezultate për ta,” tha ai.
Edhe pse “vala e kuqe” në Dhomën e Përfaqësuesve që republikanët prisnin nuk arriti të materializohej, konservatorët po i qëndrojnë programit të tyre.
Ata po përgatiten të ndërmarrin hetime për zyrtarë të administratës së presidentit Biden si edhe për djalin e presidentit, Hunter për marrëdhëniet e tij të biznesit me Kinën dhe vende të tjera, madje edhe për vetë zotin Biden.
Në frontin ndërkombëtar, republikanët mund të kërkojnë të pakësojnë ndihmën ushtarake dhe ekonomike të SHBA-së për Ukrainën.
ÇËSHTJET E INFLACIONIT DHE ABORTIT
Shtetet e Bashkuara i rikthehen një pushteti të ndarë në Uashington pasi votuesit u ndanë në kahje të kundërta, të motivuar nga dy çështje kryesore gjatë fushatës për zgjedhjet e mesit të mandatit.
Inflacioni i lartë u dha republikanëve material për të sulmuar liberalët, të cilët miratuan triliona dollarë në shpenzime të reja gjatë pandemisë COVID-19. Rritja e kostos për ushqimet, karburantin dhe strehimit, bëri që votuesit të ishin të pakënaqur me demokratët.
Nga ana tjetër, vendimi i Gjykatës së Lartë në qershor që i dha fund mbrojtjes federale për të drejtën e abortit, motivoi një pjesë të madhe votuesish, duke forcuar pozitat e kandidatëve demokratë.
Gati një e treta e votuesve thanë pasi votuan se inflacioni ishte në krye të shqetësimeve të tyre. Për një të katërtën e votuesve, aborti ishte shqetësimi kryesor dhe 61% kundërshtuan vendimin e gjykatës së lartë për këtë çështje.
Zgjedhjet e mesit të mandatit u mbajtën nën hijen e garës presidenciale të vitit 2024-ës.
Ish-presidenti Trump, vazhdon të jetë kandidati i preferuar i republikanëve për zgjedhjet presidenciale të partisë. Megjithatë kandidatët e ekstremit të djathtë që ai mbështeti patën rezultate të dobëta më 8 nëntor.
Ndërkohë, Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis – që shihet si një nga rivalët më të fortë të mundshëm për zotin Trump në vitin 2024 – fitoi një mandat të dytë, duke mundur lehtësisht kundërshtarin demokrat Charlie Crist, me gati 20 për qind epërsi.
Ish-presidenti thuhet se është i zemëruar me vlerësimet e larta që ekspertët politikë po jepin për zotin DeSantis-it.
Zgjedhjet e vitit 2024 do të ndikojnë menjëherë në shumë nga vendimet legjislative që ndjekin republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve, pasi ata përkulin muskujt e tyre me një shumicë të re të gjetur, sado të ngushtë.
Tani Dhomës së Përfaqësuesve i duhet të zgjedhë kryetarin për dy vitet e ardhshme. Udhëheqësi i republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve, McCarthy fitoi të martën mbështetjen e shumicës parlamentare për të kandiduar për pozicionin e fuqishëm që do të pasonte kryetaren aktuale, demokraten Nancy Pelosi.
Top Channel