Aktivitetet e mafies ndërkombëtare në Turqi po shtohen, po pse është kështu? Cilat janë shkaqet?

Ai kërkohej me fletarrest ndërkombëtar. Me 4 nëntor u arrestua bosi i dyshuar i drogës Zeljko Bojaniq në Stamboll, ku serbi qëndronte me pasaportë të falsifikuar. Lideri i opozitës turke Kemal Kılıçdaroğlu më pas shkroi në Twitter: “I gjithë llumi mafioz ka ardhur në qytetet tona”. Ai iu drejtua drejtpërdrejt karteleve: “Lërini qytetet tona. Ne do t’ju shkatërrojmë. Merrni paratë tuaja të pista me vete dhe largohuni”.

Kohët e fundit ka indikacione se shumë drejtues dhe anëtarë të organizatave kriminale ndërkombëtare joturke po përdorin gjithnjë e më shumë pikërisht Turqinë si qendër të veprimtarisë. Në Turqi, publiku ka folur vazhdimisht për një ngjarje të veçantë vitet e fundit, në të cilën lideri i një organizate kriminale ndërkombëtare doli në qendër të vëmendjes.

Trafikanti iranian i drogës Naji Sharifi Zindashti u arrestua në Stamboll në vitin 2007. Ai është kapur me 75 kilogramë drogë që mbante me vete. Në vitin 2010 ai u lirua pasi dëshmoi si i ashtuquajtur “dëshmitar sekret” në një nga gjyqet më të rëndësishme politike në historinë turke. Në vitin 2018 ai u arrestua për vrasje, por u lirua sërish me një vendim të diskutueshëm dhe qysh atëherë është në arrati.

Shefi i klanit afgan Sanger Ahmadi, i cili ka kërcënuar me vdekje edhe policët gjermanë, u arrestua gjithashtu në Stamboll vitin e kaluar.

Shumë vrasje të ndërlidhura me afera mafioze janë kryer në Turqi vitet e fundit. Krimineli azerbajxhanas Ali Gamidov u vra në Stamboll në vitin 2013 në një vilë luksoze. I dyshuari për vrasje ishte udhëheqësi i një organizate tjetër kriminale azerbajxhanase me emrin Rovshen Caniyev. Edhe ai është vrarë në Stamboll në vitin 2016. Për vrasjen e tij dyshohej bashkëkombasi i tij Nadir Salifov, i cili po ashtu është vrarë në vitin 2020.

Bosi i mafias gjeorgjiane Gayoz Zviadadze Longinozovich u vra gjithashtu në Antalia në vitin 2018. Së fundmi, më 7 shtator të këtij viti, në Stamboll u vra krimineli serb Jovan Vukotiq.

Pse Turqia është kthyer në një fushëbeteje për organizatat kriminale? Çfarë qëndron pas faktit që drejtuesit e këtyre organizatave vijnë nga vendet jashtë Turqisë, nga shumë vende të ndryshme?

Në Stamboll vijnë të gjithë… edhe mafia

Në një intervistë për Deutsche Wellen, ish-shefi i policisë Hanefi Avcı theksoi madhësinë e Stambollit, si një element të rëndësishëm: Zyrtarisht, më shumë se 16 milionë njerëz jetojnë në këtë qytet. Përveç kësaj, në Stamboll nuk vijnë çdo ditë vetëm dhjetëra mijëra turistë, por edhe një numër i madh emigrantësh nga Siria, Afganistani dhe Irani.

“Qarkullimi i njerëzve është i lartë. Këtu vijnë njerëz të ndryshëm. Mes tyre ka edhe persona nga skena mafioze”, thotë Avcı. Vitet e fundit është shtuar prania e mafias së huaj në Turqi. “Aktorë nga rajoni post-sovjetik, nga Ballkani apo nga rajoni arab vijnë në Turqi për të promovuar interesat e tyre”.

“Organizatat kriminale më aktive në Turqi janë ato nga Ballkani dhe Kaukazi”, pohon gazetari Timur Soykan në një intervistë për DW. Sipas Soykan, Turqia është kthyer në oborrin e pasëm të mafies ballkanike. Ai theksoi se shtrirja gjeografike e Turqisë luan një rol kyç pasi nëpër Turqi kalojnë rrugët e trafikut të drogës. Historiani britanik Mark Galeotti shkroi 10 vjet më parë se Turqia “është një urë ideale drejt Bashkimit Evropian”, por ajo është një rrugë ideale edhe për krimin e organizuar.

Demokracia e dobët inkurajon mafien

Jo vetëm karakteristikat gjeografike, por edhe kushtet politike në Turqi luajnë një rol të rëndësishëm për grupet kriminale. Ish-zëvendës sekretari i shërbimit sekret turk, Cevat Öneş, në një bisedë me DW pyet: “Në çfarë mjedisi u pëlqen të veprojnë organizatat kriminale?” dhe vetë përgjigjet: “Aty ku nuk ka shtet ligjor, ku nuk ka drejtësi. Ata i ndërmarrin aktivitetet e tyre ku mund të krijojnë lidhje me institucionet shtetërore”.

Öneş thekson mungesën e shtetit ligjor në Turqi dhe demokracinë e dobët: “Në Turqi janë krijuar disa rrethana të pafavorshme. Ne po përballemi me një strukturë që nuk mund të futet nën kontroll apo të çohet në gjykatë,” tha Öneş. “Për shkak të mosfunksionimit të drejtësisë, grupet mafioze e shohin gjithnjë e më shumë Turqinë si një fushë të përshtatshme veprimi. Këto organizata kriminale e shohin Turqinë jo vetëm si një urë për kalim por si vend të përshtatshëm për vendosje atje.”

Soykan thekson se organizatat e huaja kriminale janë të vetëdijshme se në Turqi mbizotëron pandëshkueshmëria. “Ju mund të shihni se nuk është ndërmarrë asnjë veprim ligjor kundër strukturave të ngjashme me mafia,” thotë Soykan.

Ndërsa Öneş nënvizon spekulimet e shumta se mafia në Turqi mban marrëdhënie sekrete me shtetin. Kjo lehtëson veprimtarinë e mafies. Rasti i bosit mafioz Sedat Peker duket se i mbështet disa nga këto pretendime të medias. Një ish-aleat i qeverisë së AKP-së, ai deri vonë ka publikuar video dhe postime në Twitter duke inkriminuar zyrtarë të lartë të qeverisë. Por ai ka heshur muajt e fundit.

Sipas Avcı, në këtë tendencë ka ndikuar vitet e fundit edhe politika e qeverisë turke për vizat, respektivisht mundësia e futjes së lehtësisht në Turqi.

“Duhet të veprojnë shërbimet sekrete”

Vëzhguesit kritikojnë praktikën aktuale të mbikqyrjes së organizatave të huaja kriminale nga strukturat e shtetit. “Shteti duhet t’i monitorojë këta njerëz me shumë kujdes dhe të marrë masa parandaluese”, tha Avcı.

Sipas Avcı, zhvillimet ditore politike përcaktojnë punën e shërbimit sekret, e kjo bën që shërbimi t’i neglizhojë detyra të tjera të rëndësishme. Si rezultat, mafia ndërkombëtare nuk është në fokus: “Shërbimi sekret po bashkëpunon me qeverinë, por ai duhet të fokusohet më shumë në sigurinë e vendit.”/DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA