Një Konferencë Rajonale mes Norvegjisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor për bashkëpunim në fushën energjetike po mbahet sot në Beograd , ku merr pjesë edhe kryeministri i vendit, Edi Rama.
Rama tha se pret me padurim që ky bashkëpunim energjetik mes shteteve të thellohet.
Ai theksoi se duhet t’i rajonalizojmë tregjet sa i takon energjisë, ndryshe do të mbetemi tregje të vogla.
Rama: Ishte një mundësi e shkëlqyer dhe një mbledhje vërtetë e nevojshme në këto kohë lufte, kur bombat e plagët godasin diku në Ukrainë, por ku kriza energjetike plus inflacioni i luftës kanë goditur kudo në Europë, e përtej saj, përfshirë vendet tona.
Nuk kam aspak dyshim, se në këto kohë kaq të vështira, ajo çka kemi thënë më parë kur nisëm Ballkanin e Hapur dhe kur nxitëm për një bashkëpunim më të gjerë rajonal, bëhet gjithmonë e më e dukshme, na duhet të rajonalizojmë tregjet tona dhe sa i takon energjisë, na duhet të shkojmë përtej kufijve tanë pasi në të kundërt, ende mbetemi tregje të vogla. Ajo çfarë na duhet e për të cilën kemi nevojë, nëse trajtohet në mënyrë të izoluar mund të jetë shumë më tepër e kushtueshme dhe jo vetëm kaq.
Besoj po kështu se duke vepruar në nivel rajonal, sa i takon tregut të energjisë, ne mund të kemi një qasje më të lehtë në financime dhe po kështu, mund të kemi një partneritet shumë më të fortë në sektorin privat.
Ishte një ditë vërtetë e rëndësishme kjo e sotmja dhe i jam mirënjohës qeverisë norvegjeze dhe qeverisë serbe këtu që bënë të mundur nisjen e këtij bashkëbisedimi me praktikisht, njerëzit më të mirë dhe strukturat më të mira dhe më me dije në Europë, që janë norvegjezët.
Shpresoj fort që ky bashkëbisedim do të vazhdojë dhe që ne do t’i kemi me vete partnerët dhe miqtë tanë norvegjezë për të mbështetur përpjekjet tona, për të konceptuar një masterplan rajonal dhe një udhërrëfyes investimesh.
Nuk do doja që të merrja më shumë prej kohës së askujt dhe dua ta përmbyll duke falënderuar edhe njëherë organizatorët për këtë mundësi. Pres me padurim po kështu, që ky dialog që nisi tashmë me këmbën e mbarë, të thellohet.
“Do doja të theksoja rëndësinë e rajonalizmit të tregut energjetik, është e udhës që të bashkëpunojmë që këto tregje të jenë të strukturuara dhe të një hartë që e përsëris që ne shpresojmë të kemi mbështetjen e miqve nga Norvegjia që janë një model suksesi për atë që kanë bërë në vendet e tyre, në vendet nordike. Ka dy projekte të reja, njeri prej tyre impianti lundrues i energjisë diellore në pjesën e hidrocentralit të Devollit, tjetra është një sistem inovator pomimi, i cili pompon ujin më shumm se një herë që shërben për të prodhuar energjinë”, tha Rama.
Top Channel