Përmes një monitorimi financiar të gjashtë Universiteteve publike në vend për periudhën kohore 2021-2022, rezulton se më tepër para janë shpenzuar për sigurinë e godinave.

Sipas monitorimit të kryer nga Qëndresa Qytetare, kjo shifër shkon në 3.3 milionë euro ndërsa shumë herë më pak janë shpenzuar për kërkimet shkencore.

“Nëpërmjet këtij monitorimi kuptuam që universitetet ishin burgje në aspektin e sigurisë dhe bunker në aspektin e transparencës. 6 universitete publike kanë shpenzuar në total 3.3 milion euro për sigurinë e godinave, 2.2 milionë euro janë shpenzuar për rojet dhe 1.2 milionë euro janë shpenzuar për ambientet rrethuese. Nga ana tjetër vetëm 16.300 euro kanë shpenzuar 6 universitetet  për kërkimin shkencore. Ne kemi pyetur dhe universitetet jopublike dhe universiteti jopublik më i madh shpenzonte 40 mijë euro në vit për sigurinë e godinave dhe kishte në dispozicion 12 roje”, tha Rigels Xhemollari, Qëndresa Qytetare.

Universiteti i Tiranës, ndjekur me pas nga ai i Durrësit rezultojnë me shpenzimet më të larta. Në Total 6 universitete publike kanë shpenzuar 1.3 milion euro vetëm për orendi.

“1.3 milion euro kanë shkuar për orendi ndër këto unë mund të theksoj që Universiteti i Tiranës ka shpenzuar rreth 350 mije euro për grilat e dritareve në një kohë kur këtij universiteti i mungojnë laboratorët dhe shërbimet ndaj studentëve”, tha Xhemollari.

Mungesën e transparencës, Xhemollari e cilëson si shkakun e keqqeverisjes së universiteteve.

“Ne mendojmë që me mungesën e transparencës mund të fshihet abuzivizmi, mund të ketë abuzime në aspektin e bordit të administrimit por dhe vetë drejtuesit e universiteteve nuk janë pa faj në këtë aspekt pasi shohim që janë shumë zëra që janë shpërblime, honorare, dieta, udhëtime të cilat janë shumë të larta por nga ana tjetër pedagogët nuk përfitojnë”, tha Xhemollari.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA