Një fatkeqësi më tepër sesa sulm i qëllimshëm; kështu e përshkroi presidenti polak Andrzej Duda shpërthimin e së martës në Poloni që i kushtoi jetën dy personave.
Duda pohoi se dy pjesët e një rakete që goditën një fshat kufitar në Poloni i përkisnin mbrojtjes ajrore ukrainase, edhe pse shtoi se sipas tij përgjegjësia përfundimtare i takon Rusisë, e cili në të njëjtën ditë kishte ndërmarrë një varg sulmesh me raketa drejt vendit fqinj.
“Nuk ka absolutisht asnjë të dhënë që të tregojë se ky ka qenë një sulm i qëllimshëm ndaj Polonisë. Ka shumë gjasa të bëhet fjalë për një raketë e përdorur për mbrojtje, që do të thotë se po përdorej nga forcat e mbrojtjes të Ukrainës”- u shpreh ai.
Të njëjtën gjë pohoi dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili theksoi për çdo rast se e gjithë kjo nuk ndodhi për faj të Ukrainës.
Ministria e Jashtme polake sqaroi se raketa e prodhimit rus kishte rënë në fshatin Przeëodoë, në lindje të vendit. Kryeministri Mateusz Moraëiecki u shpreh se qeveria është ende duke e shqyrtuar mundësinë e aktivizimit të Nenit 4 të NATO-s, por shtoi se në fund, një gjë e tillë të mos jetë e nevojshme.
Sipas këtij neni, vendet anëtare mund të ngrenë shqetësimin kur ndiejnë se “integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e tyre” janë në rrezik. Ndërsa, Neni 5 i Traktatit të NATO-s e përcakton qartë se sulmi ndaj një vendi anëtar të aleancës ushtarake, është sulm ndaj të gjithëve.
Polonia e vendosi ushtrinë e saj në gjendje gatishmërie të shtuar, pas takimit urgjent që mbajti Këshilli i saj i Sigurisë Kombëtare, ndërsa BE-ja dhe NATO shprehën solidaritet të plotë me të, teksa u hodh edhe ideja që vendi të mbështetej me një sistem kundërajror.
Top Channel