Sot në emisionin “Pardon My French” ka qenë i ftuar aktori, regjisori, biznesmeni dhe producenti i njohur Ermal Mamaqi. Ai ka dhënë më shumë detaje rreth librit të tij më të ri i cili quhet “Në garë me veten”.
Ai zbuloi edhe detaje të reja rreth zhvillimit të serialit “H.O.T” dhe filmit të dytë të “2 gisht mjaltë”. Ermali në fillim zbuloi se si e ka shkruar librin e tij.
Është një libër i shkruar me një gjuhë shumë të thjeshtë. Unë shkëputem, kemi një shtëpi në plazh dhe rri vetëm. Në ditët me shi sidomos, shpërthen edhe ideja. Është një libër ku ti duhet të kuptosh çështjet, më saktë aty ka një vend bosh ku ti mund të shkruash, të plotësosh pyetjet dhe t’i japësh përgjigje.
Më pas ka vijuar duke treguar se:
Është një zgjatim i asaj që unë po bëj në vite tashmë. Aty kam përmbledhur eksperiencat e mia jetësore, unë kam ndryshuar shumë profile dhe kishte ardhur pikërisht momenti që t’i përmblidhja në një formë mësimi. Kam 12 vite që studioj dhe trajnohem për këtë.
Si ka nisur gjithçka, ndryshimi i mënyrës së të menduarit mbi të gjitha?
Për ata që nuk e dinë dhe që ndoshta po kalojnë një periudhë të vështirë tani, një ndarje, një humbje, ndoshta mendojnë që brenda tyre ka diçka që po i flet dhe po i thotë ‘Hey, ti mund të ishe më mirë se kaq, mund të bëje më shumë dhe të kishe më shumë se kaq’. Unë besoj që Zoti, Universi apo energjia e pafundme, kjo gjëja e mrekullueshme që ka krijuar planetin tonë dhe gjithësinë ka një mënyrë shumë ‘funny’ për të të dhënë dhuratat, ai i paketon me anë të një problemi. Ky problem që po kalon tani që mbart dhuratën tënde më të madhe. Sa më i madh problemi aq më i madh dhurata por që të marrësh dhuratën duhet të hapësh problemin. Në një nga këto ditët kur unë po kaloja një problem shumë të madh, ishte një nga këto ditët kur ti zgjohesh dhe nuk do të çohesh nga krevati dhe nuk e di pse. Kur ti fillon edhe e bën këtë çdo ditë nuk quhet më problem luksi por depresion. Unë nuk shkova deri në atë pikë por e ndjeva që isha shumë afër dhe në këtë moment që ti nuk do asgjë të ndodhi më me ty dikush më tregoi për një seminar motivimi. Unë kam shkuar atje dhe pas atij kam ndjekur edhe një tjetër pastaj ‘hëngra’ çdo lloj libri për zhvillimin personal, për këto seminaret dhe trajnimet e motivimit dhe tani që ti e di si funksion unë e kuptoj që ka njerëz që kanë nevojë të dëgjojnë atë që do të doja të dëgjoja atëherë.
A do të quhet shkrimtar tani Ermal Mamaqi?
Jo, nuk e quaj veten shkrimtar. Të flenë rehat të gjithë këta që hanë bukë me këtë gjënë. Nuk do t’i pengoj asnjërit të fitojë çmimin Nobel.
Sa ndikon Ami te sipërmarrja për Ermalin?
Gjithmonë më thotë “Mos u merr” por unë herë pas here them që duhet t’i kthesh ndonjë përgjigje këtyre njerëzve.
Pse komentohet libri dhe pse po merren kaq shumë?
Të them të vërtetën, mund të jap një shpjegim shumë të thjeshtë. Këta merren sepse unë jam një njeri i mrekullueshëm, jam një gjeni dhe një njeri i shkëlqyeshëm.
A ndihet keq Ermal Mamaqi kur merr komente të tilla?
Përkundrazi, është argëtues fakti që njerëzit komentojnë në këtë formë. Madje unë shpesh herë i nxjerr edhe pasqyrën dhe jua tregoj përballë që të shikohen dhe të bllokohen. Gjithmonë ndodh kundërshtia në fillim dhe pastaj përfundon me duartrokitje dhe dashuri. Është i njëjti skenar, unë dhe ekipi im i marketingut jemi shumë të lumtur sepse populli shqiptar më lejon mua që të bëj marketing falas gjithmonë dhe unë nuk paguaj asnjë lek. Çdo person në planet e di që unë kam shkruajtur një libër sot.
A do të kemi një libër të dytë?
Tani nuk e besoj që do kemi por kur të kem mundësi ose dëshirë pse jo?
Në lidhje me serialin dhe filmin e tij të dytë të “2 gisht mjaltë” ka zbuluar se:
Seriali fillon xhirimet në janar ndërsa “2 gisht mjaltë” i dytë fillon xhirimet në verë.
Top Channel