Estetistja britanike 46 vjeçare Janice Cassidy Adair ishte e emocionuar për nipin që priste të lindte.
Por nëna e katër fëmijëve vdiq vetëm dy ditë pasi u diagnostikua me kancer.
Janice vdiq më 31 gusht pasi u diagnostikua me kancer të kockave e të mëlçisë.
Prej dy javësh Janice kishte thënë se nuk ndjehej mirë dhe mostra gjaku ishin marrë për analiza nga doktori i saj.
Më 2 gusht ajo u njoftua të shkonte në repartin e emergjencës së spitalit të Coatbridge, ku më vonë doktorët i thanë se kishte kancer të paoperueshëm.
Ajo vdiq në spitalin e Monklands, disa javë pasi mësoi se kishte lindur nipi i saj i parë.
Bija e saj e tronditur Laura Kirk, 19 vjeçe, tha se ishte vetëm e lumtur që e ëma jetoi sa për të mësuar gjininë e nipit të saj, të cilin nuk arriti ta takonte.
Laura tha se ishte e tronditur nga humbja e nënës dhe mikes së saj më të mirë, sa hap e mbyll sytë.
Ajo tregon: “Mamaja nuk ishte ndjerë mirë për dy apo tre javë, thoshte se kishte gjithnjë dhimbje.”
“Ajo kishte filluar të mos kishte fuqi të ecte”.
“Më thoshte që kishte frikë por unë i thoja se të bënim diçka për ta ndihmuar dhe se gjithçka do të shkonte mirë”.
“Ajo vetëm përkeqësohej dhe kur doktori mori mostrat e gjakut nëna ishte e zbehtë, ndaj mendonim se mund të ishte një gjendje e lëkurës”.
“Pas skanimeve në spital na thanë se ishte kancer, që mua nuk më kishte shkuar kurrë në mendje. Ata thanë se e kishte në kocka e në mëlçi dhe për këtë ishte i paoperueshëm”.
Laura ishte me nënën e saj më 31 gusht kur ajo vdiq, por ende nuk ka arritur ta kuptojë si e humbi kështu njeriun më të dashur.
Ajo kujton: “Unë isha në dhomë me të, duke i mbajtur dorën, i thoja vazhdimisht të fejuarit tim se kishte diçka që nuk shkonte, më kishte zënë paniku por përsëri besoja se ajo do të luftonte, apo do ta kalonte”.
“Infermierët e spitalit më pas na kërkuan të largoheshim dhe kur dolën që erdhën te ne na thanë se kishte ndërruar jetë”.
“Ishte kaq e papritur, ishte sikur të shkonte sa hap e mbyll sytë”.
Funerali i Janice u mbajt më 15 shtator. Ashtu si Laura edhe fëmijët e tjerë të saj Iain Kirk, 22 vjeç, Logan Adair, 11, e Kian Adair, shtatë vjeç, nuk dinë si të përballojnë humbjen.
Top Channel