Fushë-Vërria është një nga fshatrat e bashkisë së Delvinës që e gjeti veten buzë rrugës Kardhiq-Delvinë pas dekadash të tëra izolim.
Në qendër të fshatit një gjysmë kioskë përfaqëson edhe qendrën e jetës. Devolli i zoti i kioskës që është njëkohësisht dyqan e kafene ju shërben nga një gotë raki 2-3 të moshuarve që janë gjysma e klientëve të tij ditorë.
Për të plotësuar të ardhurat bashkë me gruan mbajnë edhe 10 dele e 4 dhi disa ullinj e pak kopsht por jetojnë vetëm pasi zona nuk prezanton asnjë mundësi për të rinjtë.
Në kafene e Devollit një tjetër i moshuar tregon se as shpreson dhe as do që të rinjtë të kthehen për aq kohë sa punë nuk ka, prodhimet nuk shiten, tokat nuk punohen e kur mungon uji për vaditje. Ai kërkon që të paktën fshati të ketë shërbime minimale, pastrimi, sistemimi dhe një transformim të qendrës.
Në Fushë-Vërri 80% e banorëve punojnë vetëm për të siguruar nevojat e familjeve të tyre pa pasur mundësi të çojnë produkte në treg.
Në fshatin që pret të avantazhohet prej rrugës jetojnë tani vetëm 50 familje kryesisht të moshuar dhe mungojnë tërësisht investimet.
Një pjesë e territorit të fshatit është e mbuluar nga plehrat ndërsa qendra përfaqësohet nga një grup godinash të degraduara.
Blegtoria me gati 3000 krerë të imëta dhe rreth 300 lopë siguron një pjesë të të ardhurave ndërsa ullinjtë e agrumet janë ende jashtë tregut.
Top Channel