Rusia hodhi “rreth 100 raketa” në qytete anembanë Ukrainës të martën, sipas Yurii Ihnat, zëdhënës i komandës së Forcave Ajrore të Ukrainës.

Të paktën një duzinë qytetesh dhe rrethe u shënjestruan, sipas një analize të CNN të sulmeve me raketa. Vala e sulmeve duket të jetë më e madhja që nga 10 tetori, kur Rusia rriti fushatën e saj për të shkatërruar infrastrukturën e energjisë elektrike, ujit dhe gazit në të gjithë Ukrainën.

Herman Halushchenko, Ministri ukrainas i Energjisë, konfirmoi se shumica e objektivave të martën ishin objektet energjetike.

“Ky sulm mund të ketë ndikim jo vetëm në sistemin energjetik të Ukrainës, por edhe në sistemet energjetike të disa prej fqinjëve tanë”, tha ai në Facebook.

“Goditjet po ndodhin në të gjithë sistemin energjetik të Ukrainës: si në objektet e prodhimit ashtu edhe në sistemin e transmetimit të energjisë,” tha Halushchenko.

“Pas humbjeve në arenën ushtarake dhe ndërkombëtare, armiku bën një tjetër tentativë hakmarrjeje terroriste dhe tenton të shkaktojë dëme maksimale në sistemin tonë energjetik në prag të dimrit.

Furnizuesi shtetëror i energjisë Ukrenergo tha se rusët “po përpiqeshin të fikin përsëri dritat në vend. Sulmi është ende në vazhdim, ne nuk mund të vlerësojmë ende shkallën e plotë të dëmit, ka goditje në infrastrukturën tonë në të gjitha rajonet e vendit. por situata më e vështirë është në rajonet veriore dhe qendrore”.

Ukrenergo konfirmoi se në qytetin e Kievit, ishin futur orare të veçanta të mbylljes së emergjencës.

Administrata ushtarake e qytetit të Kievit raporton se një person u vra në një sulm me raketë që kishte “goditur një ndërtesë banimi në lagjen e banimit Pecherskyi”.

Kryetari i bashkisë së Kievit Vitali Klitschko konfirmoi se “në një nga ndërtesat e goditura, shpëtimtarët gjetën një trup”.

Operacionet e shpëtimit dhe kërkimit vazhdojnë, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA