Koncesioni i rrugës Lekaj-Konjat-Fier, rreth 1.3 miliardë euro të ardhura nga tarifat në skenarin bazë, për 46 km

15/11/2022 08:18

Tetë kompanitë e bashkuara në një të vetme që u shpall fituese koncesionin 35 vjeçar të projektimit, ndërtimit operimit, mirëmbajtjes, rehabilitimit dhe transferimit të segmentit rrugor Lekaj-Konjat-Fier parashikohej që në skenarin bazë të të ardhurave të arkëtojnë rreth 1.3 miliardë euro.

Të paktën ky është skenari i dokumenteve të qeverisë në fazën e hapjes së garës në gusht të këtij viti. Ajo që do të bënte diferencën në përzgjedhjen e fituesit do të ishte pritshmëria për garancinë e ofruar nga shteti për kompaninë, shpërblimi dhe përqindja e tij parashikuar në ofertën e kompanive.

Por duket se presioni për të lëvizur nga ky skenar bazë në favor të shtetit nuk duket të ketë qenë shumë i madh për aq kohë sa kishte vetëm një ofertë në garë. Mbetet për t’u parë se cila është oferta që ka bërë bashkimi i kompanive në raport me atë të parashtruar në fazën e parë nga qeveria. Të njëjtat dokumente parashikojnë mbështetje nga ana e qeverisë në rast të mosarritjes së trafikut. Totali për 17 vite sipas dokumenteve është parashikuar në maksimalisht 32.5 milionë euro.

Koncesioni në fjalë parashikon ndërtimin e një rrugë me gjatësi 46 kilometra me një vlerë investimi prej 320 milionë euro pa Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Rruga do të kalojë në gjurmën e rrugës ekzistuese dhe ndahet në dy seksione.

Seksioni Luzi i Vogël / Lekaj – I/C Rrogozhinë

“Ky seksion është pjesë e segmentit rrugor ekzistuese me një karrexhatë me dy korsi dhe me dy sense lëvizjeje 2×2 (SH4). Megjithëse është parashikuar trafik ndarësja, nuk janë parashikuar korsi emergjence. Gjatësia totale është rreth 8 km.

Seksioni do të përmirësohet në një segment rrugor të Kategorisë B, dhe propozohet një kryqëzim i tipit “trumpet” për të zëvendësuar rreth rrotullimin ekzistues ndërmjet autostradave kombëtare SH4 dhe SH7 (përkatësisht AIC dhe Korridori i 8-të)” thuhet në dokument.

Seksioni Rrogozhine – fillimi i Bypass-it të Fierit

“Edhe ky seksion është pjesë e autostradës ekzistuese me një karrexhatë me dy korsi dhe me dy sense lëvizjeje 2×2 (SH4). Ashtu si edhe në seksionin 4, është parashikuar trafikndarësja, por nuk janë parashikuar korsi emergjence. Gjatësia totale është rreth 38 km. Përmirësime do të bëhen edhe në kryqëzimet ekzistuese, dhe do të ndërtohen pesë kryqëzime të reja me nivele të ndara për të zëvendësuar disa nga ato ekzistuese.

E detyrueshme për Koncesionarin/Operatorin Ekonomik të kryejë mirëmbajtje kapitale (kryesore) çdo 10 vjet konform kërkesave ligjore. E cila duhet të jetë e mirë përcaktuar nga Koncesionari/Operatori Ekonomik në planin e biznesit” thuhet në dokument.

Rruga do të jetë me pagesë

Në dokumentet që shoqëronin procedurën qeveria përcaktonte se maksimalisht automjetet e lehta do të paguajnë 0,04065 eur/km që është niveli maksimal. Kompania fituese mbetet e paqartë sesa ka ofruar në propozimin e saj për tarifë.

Gjithsesi nëse i referohemi maksimumit të qeverisë një automjet i lehtë për të përshkruar rrugën duhet të paguajë rreth 2 euro. Ndërkohë që në varësi të kategorisë së automjetet tarifimi do të jetë i ndryshëm sikurse është praktika ndërkombëtare./Monitor.al

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA