Përfaqësuesit e Partisë së Serbëve të Kosovës me në krye Aleksandar Jablanoviç kanë shkuar këtë të hënë në zyrën e presidentes së Kosovës Vjosa Osmanit.

Në takim janë edhe përfaqësuesit e komunitetit të boshnjakëve me në krye Duda Balje, Nenad Rashiq i partisë Demokratike Progresive, përfaqësues të LDK dhe Listës Guxo.

Ndërkohë përfaqësuesit e Listës Serbe mungojnë në këtë takim.

Takimi vjen dy javë pasi qeveria e Kosovës nisi zbatimin e planit të saj prej tri fazash për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia.

Plani i Qeverisë është që të gjitha makinat me targa serbe të konvertohen në targa RKS, Republika e Kosovës, deri më 21 prill të vitit 2023.

Faza e parë parashikon lëshimin e qortimeve për drejtuesit e automjeteve me targa serbe. Faza e dytë nis më 21 nëntor dhe parasheh gjobë prej 150 eurosh për këta shoferë.

Faza e tretë përfshin përdorimin e targave provuese, ndërkaq pas 21 prillit, Qeveria e Kosovës ka thënë se do të lejohen të qarkullojnë vetëm makinat me targa RKS.

Top Channel