Një deputet laburist ka akuzuar Zyrën e Brendshme për “paragjykim racor dhe fetar” në lidhje me dhënien e vizave për emigrantët që donin të jetonin në Britaninë e Madhe.
Duke folur në Commons, Imran Hussain tha se më pak se 20% e aplikimeve refuzohen.
“Megjithatë, kur bëhet fjalë për ato të kombësisë pakistaneze dhe Bangladeshe, këto shifra papritur, në mënyrë dramatike dhe të pashpjegueshme rriten në 30%”, tha ai sipas Sky News.
“Pra, a pret vërtet ministrja që ne të besojmë se nuk ka paragjykime racore apo fetare në Zyrën e Brendshme?”
Ministri i Emigracionit, Robert Jenrick u përgjigj duke thënë se deputeti ishte “plotësisht gabim” dhe vërejtjet e tij përbënin “një ofendim të pabazë” ndaj zyrtarëve të Home Office.
Në vend të kësaj, ai vuri në dukje shifrat që tregojnë se 303,000 viza dhe leje ishin dhënë këtë vit, 61% më shumë se në vitin 2019.
“Pra, Home Office po jep një numër rekord të këtyre vizave dhe ne e bëjmë këtë në një mënyrë krejtësisht objektive”, tha Jenrick.
Kujtojmë se këtë të hënë Britania dhe Franca nënshkruan një marrëveshje me vlerë 72.2 milionë euro që do të ndalojë emigrantët e paligjshëm të kalojnë në Kanalin Anglez.
Kujtojmë se rreth 3500 emigrantë shqiptarë protestuan të shtunën në Westminster Bridge, pranë parlamentit në Londër kundër retorikës në kufijtë e racizmit nga ana e sekretares së brendshme britanike, Suela Braverman.
Protestuesit, shqiptarë që punojnë e jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar, kanë nisur sakaq firmosjen e një peticioni ku kërkojnë t’i jepet fund fushatës së shpifjeve dhe racizmit.
Top Channel