Rruga “prej ari”/ Thumanë-Kashar, kushton katër herë më shtrenjtë se autostrada në Greqi dhe Itali

13/11/2022 19:33

Deri në katër herë më shumë se rrugët europiane do t’i kushtojë Shqipërisë koncesioni Thumanë-Kashar.

Kështu një raport i Bankës Europiane të Investimeve tregon se në 2021, një kontratë koncesionare për ndërtimin e një autostrade në Çeki 32 km të gjatë, si dhe mirëmbajtje për 28 vite do të kushtojë 16.5 milionë euro/km.

Ndërkohë një koncesion tjetër, Kekava Bypass në Letoni, ndërtim dhe mirëmbajtje për 20 vjet do të kushtojë 14.2 milionë euro/km.

Në Shqipëri, Gener 2 ka planifikuar një koncesion me vlerë 1.3 miliardë euro për 35 vite. Ndërtimi, mirëmbajtja dhe transferimi i saj do të kushtojë 61.9 milionë euro/km, vlerë 3 deri në 4 herë më e lartë se partneritetet europiane.

Vlera është shumë më e lartë krahasuar edhe me vetë shifrat e qeverisë shqiptare, e cila në Listën e Investimeve Strategjike 2019-2020 zbulonte se me fondet e veta rruga do të ndërtohej për 169 milionë euro.

Ndërkohë me marrëveshjen e re të negociuar nga qeveria, tarifa për rrugën do të indeksohet me inflacionin dhe në 8 vitet e para shteti vendos garanci prej 22.8 milionë eurosh që të mblidhen të ardhurat e planifikuara. Koncesionarit i njihet dhe e drejta për të mbledhur të ardhurat shtesë, për të cilat do paguajë vetëm një tatim-fitim.

Në këto kushte, barra e tarifës mbi qytetarët e bën ndërtimin e kësaj autostradë më të kushtueshme edhe se autostradat e cilësisë “A” në Greqi dhe Itali.

Por, projektet infrastrukturore në Shqipëri kanë treguar se përveç kostove të larta nuk ofrojnë as sigurinë për qytetarët. 1257 persona u aksidentuan në rrugët e vendit nga Janari i këtij viti deri në shtator.

Rrugët, të cilat edhe pse kanë gllabëruar miliona e miliona euro janë një rrezik i vazhdueshëm për qytetarët shqiptarë të cilët udhëtojnë çdo ditë, për shkak se mirëmbajtja është një proces që bëhet me hope.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA