Tensionet mes Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut, banorët të shqetësuar nga raketat

12/11/2022 21:23

Marrëdhëniet mes dy Koreve janë në pikën më kritike ndër vite ndërkohë që Pheniani lëshoi një numër rekord raketash dhe Seuli shtoi stërvitjet ushtarake. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Bill Gallo, shkoi në një ishull pranë Koresë së Veriut dhe bisedoi me banorët jugkoreanë të cilët druhen nga rikthimi i armiqësive.

Kim Bu-jeon ka 97 vjet që jeton në ishullin Yeonpyeong, por ajo ende nuk është mësuar me shpërthimet nga stërvitjet ushtarake aty pranë që herë pas here trondisin shtëpinë e saj. Në një bisedë me Zërin e Amerikës, e moshuara shpreh shqetësimin lidhur me veprimtarinë ushtarake në të dy anët.

“Përse ushtria jonë qëllon me armë? Jam e shqetësuar kur ne përdorim armë dhe kur Koreja e Veriut përdor armë. Jam e shqetësuar për gjithçka”.

Shqetësimi është thelluar mes banorëve të ishullit. Muajin e kaluar, në ujërat aty pranë, ushtritë e të dy vendeve shkëmbyen të shtëna paralajmëruese. Anijet e marinës jug-koreane patrullojnë përgjatë bregut.

Banorët e ishullit i thanë Zërit të Amerikës se kohët e fundit janë shtuar shpërthimet.

“Kush nuk do të shqetësohej? Dëgjojmë shpërthime kudo”, thotë një banor.

Pjesa më e madhe e këtij ishulli është zonë ushtarake. Arsyeja është sepse Koreja e Veriut është shumë pranë, në këtë rast vetëm 5 kilometra nga kamera e Zërit të Amerikës.

Në një ditë të kthjellët shteti përkarshi mund të vërehet lehtësisht. Në këtë zonë të rrezikshme, peshkimi është i vështirë, sidomos tani. Peshkarexhat duhet të largohen menjëherë pasi koreano-veriotët fillojnë të shtënat.

Banorët thonë se kjo ka ndodhur pesë herë këtë vit, çka ka dëmtuar peshkatarët që sigurojnë jetesën nga deti.

“Nuk jam i sigurt për ata që jetojnë në Korenë Jugore kontinentale, por dëmi për ne peshkatarët në zonat ushtarake është mjaft i madh”, thotë një peshkatar.

Në këtë ishull nuk rrezikohet vetëm mënyra e jetës së banorëve. Shumë prej tyre kanë frikë për sigurinë.

Në vitin 2010, Koreja e Veriut goditi ishullin me 170 predha artilerie, duke vrarë katër persona, përfshirë dy civilë.

Në këtë vend u vra një marins i Koresë së Jugut, shenja e fundit e dukshme e sulmit nga Pheniani. Banorët i thanë Zërit të Amerikës se për dekada me radhë ata jetojnë përballë rrezikut.

“Unë jam e moshuar dhe po më vjen momenti. Por ajo që më shqetëson janë fëmijët e mi”, thotë një e moshuar.

Për banorët në vijën e parë të konfliktit të vjetër, tensionet duken se kanë arritur në pikën më të lartë./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA