SHBA: Fitorja në Arizona i vendos demokratët një vend larg kontrollit të Senatit

12/11/2022 16:19

Senatori demokrat Mark Kelly fitoi rizgjedhjen të premten në shtetin vendimtar të Arizonës, duke mundur republikanin Blake Masters, duke bërë kështu që partia e tij të jetë vetëm një vend larg marrjes së kontrollit të Senatit për dy vitet e ardhshme të mandatit të presidentit Joe Biden.

Me votën e nënpresidentes Kamala Harris, demokratët mund të ruajnë kontrollin e Senatit duke fituar ose garën në Nevada, e cila nuk është përcaktuar ende, ose balotazhin e muajit të ardhshëm në Xhorxhia. Me fitoren e demokratëve në Arizona, republikanëve tani u duhet të fitojnë të dyja garat e mbetura për të marrë shumicën.

Rezultati i Arizonës është një tregues i forcimit të pozitave të demokratëve në një shtet dikur mbizotërohej bindshëm nga republikanët.

Edhe gara për postin e guvernatorit mes demokrates Katie Hobbs dhe republikanes Kari Lake nuk është përcaktuar.

Zoti Kelly, një ish-astronaut i NASA-s është i martuar me ish-anëtaren e Dhomës së Përfaqësuesve Gabby Giffords, e cila frymëzoi vendin kur u rimëkëmb pasi u plagos në kokë nga një sulm me armë zjarri në një atentat në vitin 2011 ku gjetën vdekjen gjashtë persona dhe u plagosën 13. Zoti Kelly dhe zonja Giffords bashkë-themeluan një organizatë për sigurinë e armëve.

“Ka qenë një nga nderet e mëdha të jetës sime të shërbeja si Senator i Arizonës,” tha zoti Kelly në një deklaratë. “Jam i përulur nga besimi që tregoi shteti ynë ndaj meje për të vazhduar këtë punë.”

Fitorja e zotit Kelly në zgjedhjet e posaçme të 2020-ës, që u mbajtën pas vdekjes së senatorit republikan John McCain u dha demokratëve të dy vendet e Arizonës në Senat për herë të parë në 70 vjet. Kthesa ishte rezultat i ndryshimeve demografike dhe pakënaqësive ndaj ish-presidentit Donald Trump.

Fushata e demokratit Kelly u përqendrua kryesisht në mbështetjen e tij për të drejtat e abortit, mbrojtjen e Sigurimeve Shoqërore, uljen e çmimeve të barnave dhe sigurimin e një furnizimi të qëndrueshëm me ujë në mes të një thatësire shkaktuar nga rënia e nivelit të ujit në lumin e Kolorados.

Ndërsa mbështetja për presidentin Biden binte zoti Kelly u distancua prej tij, veçanërisht në lidhje me sigurinë kufitare, dhe nuk e vuri shumë thekson tek përkatësia e tij demokrate mes ankthit për gjendjen e ekonomisë.

Zoti Masters në fushatën e tij, bëri thirrje për privatizimin e Sigurimeve Shoqërore, mbajti një qëndrim të ashpër kundër abortit dhe ngulmoi tek një teori raciste e përqafuar nga nacionalistët e bardhë sipas së cilës demokratët po kërkojnë të përdorin imigracionin për të zëvendësuar të bardhët në Amerikë.

Ai fitoi mbështetjen e zotit Trump duke mbështetur pretendimimin pa baza të ish-presidentit se ai kishte fituar në zgjedhjet e vitit 2020, por nën presion gjatë një debati muajin e kaluar, ai pranoi se nuk kishte parë prova që zgjedhjet ishin manipuluar. Ai më pas iu rikthye edhe më me forcë pretendimit të rremë për fitoren e zotit Trump./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA