Varfëria po shtyn shqiptarët që ti drejtohen punëve të paligjshme.

Kjo është arsyeja kryesore që shohin sociologët edhe në përfshirjen e 105 grave, mosha e të cilave arrinte deri ne 75 vjeç, në disa sera të kultivimit dhe përpunimit të kanabisit, në Kutalli të Beratit.

“Historia e grave të ditës së djeshme ishte shumë befasuese sepse nuk arrinim dot ta imagjinonim kaq shumë zonja në të njëjtin vend aq më shumë në një biznes të paligjshëm. Mendoj se arsyeja kryesore është varfëria. Mendoj se janë nisur kryesisht nga fakti se asgjë nuk ju ndodh, është bërë kaq i shpesh ky lloj biznesi në të gjitha cepat e Shqipërisë sa ndoshta nuk e din më që është i paligjshëm dhe një arsye e tretë lidhet me faktin që pse jo ndihmojnë familjen me një punë e cila në dukje është sezonale, fitohet më shpejt dhe prodhimi në një farë mënyre të shpërblen“, tha Entela Binjaku.

Lëvizjen e këtyre grave nga njëri qytet në tjetrin për të punuar, sociologia e sheh si një garanci që organizatorët i kanë dhënë atyre për të kryer këtë punë.

“Ka ndër to gra që fare mirë mund të kontribuonin në ekonominë familjare duke kryer punë në sektorin e bujqësisë, punë të ligjshme, të njohura me të cilat janë të familjarizuara dhe kanë një lloj tradite, por fakti që ato shkojnë nga një qytet në tjetrin tregon se marrin një garanci më të madhe se asgjë nuk ju ndodh, se kjo nuk përbën ndonjë problem, në fund të fundit nuk e merr vesh askush. Pra vet ideja se si janë nisur në vetvete përbën një paligjshmëri dhe një shkelje”, u shpreh sociologia Entela Bajku.

Zonjat që janë gjetur brenda serave gjatë operacionit të policisë, ishin nga zonat perfierike të Tiranës dhe merreshin me përpunimin dhe ambalazhimin e lëndës narkotike kanabis.

 

Top Channel