Banorët e Bërxullit janë zhvendosur nga tokat e tyre pranë Ministrisë së Infrastrukturës, duke kërkuar pezullimin e punimeve të rrugës Thumanë-Kashar të dhënë me koncesion, pasi sipas tyre është e paligjshme pasi më pare duhet të kompensohen banorët.
Kjo rrugë prek 30 ha tokë dhe do të prishen 20 banesa.
Banorët thonë se janë drejtuar me shkresa zyrtare pranë agjencisë së rrugëve për t’u njohur me projektin dhe u është thënë që nuk kanë dijeni për një projekt të tillë, ndërkohë që punimet në zonë kanë filluar. Të gjendur pa mbrojtje nga strukturat shtetërore, ata kërkojnë që të ndërhyjnë ndërkombëtarët për t’i dhënë të drejtën ndaj pronës së tyre.
“I bëj thirrje ambasadës amerikane dhe SPAK të hetojë”, është apeli i një banoreje.
Ata janë të vendosur deri në vetëflijim nëse nuk kompensohen me çmimin e tregut.
“Mos të guxojnë as punonjësit e firmës të futen se do të vriten ose ata, ose ne”, thonë banorët.
“Jemi pro ndërtimit të rrugës, por po shkelet ligji. Ne jemi pronar të tokave, nuk jemi fare të njoftuar dhe nuk ka asnjë lloj leje ndërtimi. Na bëjnë presione, mashtrojnë me çmime qesharake. Policia po ndihmon firmën hajdute që ndërton mbi tokat tona”, është shprehur një protestues.
“Nuk ka transparencë, nuk dimë as projektin, nuk ka as konsultim me banorët. Nuk e kuptoj sesi një firmë merr vetëm miratimin e projektit dhe del në rrugë ndërton”, shprehet një tjetër.
“Ne jemi prezantuar me shkresa zyrtare. Unë nuk e di kush e autorizon firmën që të zbresë në terren. Kuptohet që është direkt nga Ministria e Infrastrukturës”, thotë një tjetër.
“Nuk do ta lejojmë firmën të zhvillojnë aktivitetin. Ne nuk e dorëzojmë tokën se e kemi tonën me ligj. Shteti po kërkon të na grabisë tokën tonë”.
“Unë do e mbroj sipas ligjit dhe kushtetutës, të paraqiten me leje ndërtime, të më shpronësoje sipas tregut tokën dhe shtëpinë. Leja e ndërtimit aty del mbi pronën time. 40 vite e gjithë djersa, mundi dhe pasuria ime është aty”, thonë qytetarët.
Banorët kërkojnë të ulen në bisedime me përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës në mënyre që të ketë një marrëveshje ndërmjet palëve. Deri atëherë, nuk do t’i ndalin protestat.
Top Channel