Putin “tërhiqet” nga G20, nuk merr pjesë në samit!

10/11/2022 10:42

Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë në samitin e G20-ës në Indonezi javën e ardhshme, një lëvizje kjo që i jep fund javë të tëra spekulimesh mbi një konfrontim të mundshëm me Joe Biden dhe aleatët e SHBA-së për shkak të luftës në Ukrainë.

Presidenti rus do të përfaqësohet në takim nga ministri i i tij i jashtëm veteran, Sergei Lavrov. Një nga shqetësimet e shefit të Kremlinit ishte se ka dashur të shmangë eventet të cilat media ruse mund të mos i mbulojë dot sipas pëlqimit të tij. Zyrtari i qeverisë indonezian, Luhut Binsar Pandjaitan, organizues i samitit, tha se vendimi i Putinit për të mos marrë pjesë ishte “gjëja më e mirë për të gjithë”.

Në takimin dy ditor që nis të mes të nëntorit do të jenë të pranishëm presidenti amerikan, homologu i tij kinez Xi Jinping dhe mjaft liderë të tjerë botërorë. Samiti do të përbënte të parën herë që Biden dhe Putin do të ishin bashkë në një event që prej nisjes së agresionit rus në Ukrainë. Krerët e 20 ekonomive më të mëdha të botës do të mblidhen në ishullin e Balit.

Pandjaitan sqaroi nuk kishte një arsye zyrtare përse Putini vendosi të mos vinte, por tha se “ndoshta kreu i shtetit rus ishte i zënë në shtëpi dhe ne gjithashtu duhet ta respektojmë këtë”.

Ai shtoi se të njëjtat arsye mund të mbajnë larg takimit edhe  presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy. Një ditë më parë, Rusia paralajmëroi tërheqjen nga qyteti ukrainas i Khersonit, e kjo sipas kreut të shtabit të përbashkëttë SHBA-së, Mark Milley, mund t’u japë të dy vendeve një mundësi për të negociuar paqen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA