Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet, Mimoza Kusari-Lila iu drejtua sot qytetarëve serbë nga Kuvendi i Kosovës.

Me një mesazh në gjuhën serbe, Kusari-Lila u bëri thirrje qytetarëve që janë larguar nga institucionet e Kosovës në ditët e fundit, që të rikthehen në këto institucione.

Që nga 5 nëntori dhe në ditët në vazhdim, serbë të Kosovës kanë ofruar dorëheqje nga institucione të ndryshme, në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të planit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e targave të makinave në pjesën veriore të vendit.

Ndër ta edhe dhjetë deputetët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – kanë dorëzuar të hënën dorëheqjet e tyre.

Lidhur me këta deputetë, deputeti Kusari-Lila, tha se nuk kanë përfaqësuar denjësisht serbët e Kosovës.

“Ata asnjëherë gjatë këtij mandati nuk adresuan nevojat dhe nuk folën për interesat e qytetarëve serbë të Kosovës”, tha Kusari-Lila, duke shtuar se “ata kanë zgjedhur të përfaqësojnë autoritetin e regjimit në Serbi”

Rikujtojmë se tashmë presidentja e vendit ka dërguar kërkesë në Komisionin Qendror Zgjedhor që të rekomandojë zëvendësimin e deputetëve të dorëhequr./REL

Top Channel