Debati për taksat dhe gjobat në 2023/ Buxheti u votua me votat e PS, replika mes deputetëve dhe ministrave

10/11/2022 15:05

Me 76 vota pro, 41 kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi miratoi pas dy ditësh debatesh, projektbuxhetin 2023.

Ky është buxheti i shpopullimit të Shqipërisë. Kështu e kanë cilësuar deputetët e opozitës buxhetin 2023 në seancën maratonë në Parlament ku nuk munguan akuza e kundërakuza.

“Me keqardhje ju them, ky është buxheti i gomoneve, buxheti i shpopullimit të Shqipërisë. Sot po ikin policët nga puna dhe po marrin gomone. Pse po ikin oficerët e policët? Sepse u shtrëngon lakun qeveria e Edi Ramës”, tha Flamur Noka.

Për ta, ky buxhet nuk mbështet qytetarët dhe as sektorët kyçë të ekonomisë. Sikur të mos mjaftonte, qeveria në kohë krize sipas tyre vendos të rrisë taksat e gjobat.

“Asgjë në shërbim të qytetarëve, ka vetëm një zë që dyfishohet këtu. Dyfishohen tenderat, koncensionet”, shtoi Noka.

“Shëndetësia nga 3.5, ka vajtur në 3.1. Paratë e shëndetësisë shkojnë në PPP-të e klientëve të qeveritarëve. Arsimi përsëri në nivelet më të ulëta, 2.4 për qind”, tha Albana Vokshi.

“Patjetër që kërkoni më shumë,  edhe ne për të bërë më shumë jemi këtu, ndaj buxheti i shëndetësisë për vitin 2023 është rritur dhe është buxheti më i lartë historik”, tha ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

“Rrisni pagat se me këtë sistem pagash që keni po shkatërroni shtetin. Hiqni dorë nga goditja e shtresës së mesme. Mbrojeni bujkun sepse në të gjithë rajonin jepen subvencione”, tha Edmond Spaho.

Por, përfaqësues të qeverisë thonë se buxheti është realist dhe adreson jo vetëm nevojat e krizës, por edhe shqetësimet nga sulme kibernetike.

“Buxheti është realist, edhe në përgjigje të kërcënimeve të tjera që i vijnë sigurisë. Ne vijmë drejtpërdrejt më një përgjigje, me një paketë investimesh për 2023, teknologjina e informacionit është rritur për policinë e shtetit 7.6 herë, në përgjigje për forcimin e sistemit të sigurisë për policinë e shtetit.”- tha Bledar Çuçi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA