Personi që shihni në këtë foto është një nga autorët e grabitjes mbrëmjen e 6 nëntorit në një banesë në fshatin Brret të Krujës.
Pas hetimeve intensive policia e Krujës zbuloi se pas personit me armë në dorë dhe maskë në fytyrë është Kastriot Guri. Grabitjen ai e kreu së bashku me nipin e tij Xhoni Guri.
Për të qenë të pa identifikueshëm grabitësit vunë maska në fytyrë dhe në ikje shkatërruan kamerat e sigurisë por ishin të pavëmendshëm për dvr, të cilën e fshehën në një shkurre pranë banesës. Kjo provë e lënë pas nga autorët i identifikoi dhe i çoi në pranga.
Fatmirësisht në momentin e ngjarjes në banesë nuk ka pasur persona pasi kjo banesë përdorej si shtëpi pushimi. Por autorët të cilët ishin nga fshati fqinjë dhe kishin njohje familjare me të zotët e shtëpisë nuk ishin të sigurt nëse ata nuk ishin në banesë dhe u paraqitën aty me armë.
Pasi shembën derën ata morën nga banesa ushqime, elektro-shtëpiake dhe vegla pune dhe u larguan në këmbë mes bimësisë. Një pjesë e sendeve të vjedhura policia i gjeti në banesën e autorëve.
Kjo është hera e 4 që kjo banesë grabitet. Policia dyshon se xhaxha e nip Kastriot e Xhoni Guri janë autorë edhe të grabitjeve të tjera të ndodhura në zonë për të cilat po punohet për të gjetur prova ligjore.
Top Channel