Arkeologët italianë kanë zbuluar 24 statuja bronzi të ruajtura në Toskanë që besohet se datojnë që nga koha e lashtë romake.
Statujat u zbuluan nën rrënojat me baltë të një banjoje termale të lashtë në San Casciano dei Bagni, një qytet në majë të kodrës në provincën e Sienës, rreth 160 km në veri të kryeqytetit Romë.
Thuhet se figurat janë rreth 2300 vjet të vjetra dhe një ekpert tha se zbulimi mund të rishkruajë historinë.
Shumica e statujave , të cilat u gjetën të zhytura nën banja së bashku me rreth 6,000 monedha bronzi, argjendi dhe ari, datojnë midis shekullit të 2-të para Krishtit dhe shekullit të 1-të pas Krishtit. Epoka shënoi një periudhë transformimi të madh në Toskanën e lashtë pasi zona kaloi nga sundimi etrusk në romak, tha ministria italiane e kulturës.
Statujat, të cilat u ruajtën nga uji, do të dërgohen në një laborator restaurimi, përpara se të ekspozohen përfundimisht në një muze të ri në San Casciano.
Massimo Osanna, drejtor i përgjithshëm i muzeve shtetërore të Italisë, tha se zbulimi ishte më i rëndësishmi që nga bronzët e Riace dhe një nga gjetjet më të rëndësishme të bronzit të bëra ndonjëherë në historinë e Mesdheut të lashtë.
Top Channel