Reagimet qytetare për problematikat e programit të rindërtimit në Durrës vazhdojnë. Banorë të një pallati në zonën e plazhit, ku banojnë 42 familje, kanë protestuar të mërkurën para bashkisë së Durrësit pasi nuk dinë ku do të fusin kokën këtë dimër.

Të shqetësuar ata kanë mësuar se bashkia e Durrësit e ka mbyllur procesin e riparimit të ambienteve të përbashkëta për pallatet e dëmtuara në nivelin DS3, por godina e tyre me të njëjtin nivel dëmi nuk është riparuar ende. U është thënë se pallati  është vlerësuar me një shkallë më të lartë dëmtimi dhe rrezikon të shembet.

“Këta zotërinjtë na thanë se mund të prishet, se nuk e kemi fare në sistem apo do të bëjnë ndonjë pallat për vete dhe ne do të na lejnë rrugëve. Protestoj që të më rregullohet pallati se po hyn viti i katërt dhe askush nuk e çan kokën. Ik flini në natyrë, na thonë”, thotë një banore.

“Vijmë e ankohemi këtu dhe na përbuzin me fjalë, prandaj të kërkojmë kryetaren e bashkisë e të na flasë. Ndaj ju kemi thirrur ju se neve nuk na e hapin derën”, shprehet një banore tjetër.

Bonusi i qirasë u është ndërprerë prej 4 muajsh, ndërsa ata janë kthyer e banojnë në objektin që, sipas bashkisë, është i pabanueshëm, pasi së fundmi ka kaluar në DS4:

 “Po zvarritet. Kemi 2 akt-ekspertime, të dyja DS3. Vijmë në bashki dhe na thonë që ka dalë DS4. Unë banoj atje pasi bonusi ka 4-5 muaj që na është ndërprerë. Jam i detyruar të banoj atje. Nga pamundësia financiare banojmë aty”.

“Nuk e di për ç’arsye po kalon DS4 për përfitime të bashkisë apo është vërtet. Duam një përgjigje të saktë. Kërkojmë një zgjidhje të shpejtë pasi dimri është para”.

“Pleq jemi e me fëmijë të vegjël. U shqetësuam e erdhëm të marrim informacion. A do shembet a jo, dhe nëse do shembet çfarë jemi ne?! Edhe minjtë e insektet s’trajtohen kështu. E na lenë të flemë. Le t’i vinin shiritin që nuk banohet pallati”.

Në bashkinë e Durrësit deklarojnë se pas hartimit të projektit, pallati do t’i nënshtrohet riforcimit,ose shembjes, bazuar në vlerësimin e ekspertëve, ndërsa dhënia e bonusit të qirasë për familjet do të vazhdojë, po vetëm një pjesë e tyre kanë aplikuar për përfitimin e tij.

 

Top Channel