Ambasadori i SHBA-së në Kosovë i kërkon Qeverisë të fillojnë urgjentisht negociatat për Asociacionin: Mos vazhdoni me gjobat ndaj serbëve në veri

09/11/2022 17:58

 Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të nisë urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Duhet të ketë një propozim për Asociacionin në tryezë”, u tha Hovenier gazetarëve në Prishtinë.

Përfaqësuesi i SHBA-ve tha gjithashtu se i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe dhe të mos vazhdojë më me gjobat për qytetarët serbë në veri.

Qeveria e Kosovës nisi më 1 nëntor të zbatojë planin e saj për riregjistrimin e makinave, me gjithë insistimin e mëhershëm të komunitetit ndërkombëtar që ta shtyjë këtë plan.

Janë rreth 9.000 makina me targa të paligjshme që qarkullojnë në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – që nga paslufta, më 1999.

Qeveria e Kosovës kërkon tani që ato të zëvendësohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës. Shumica e serbëve në veri, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, e kundërshtojnë planin, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të tij, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.  Ata kanë thënë se nuk do të rikthehen, nëse Qeveria e Kosovës nuk e themelon Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe nuk e tërheq vendimin për riregjistrimin e makinave.

Top Channel